Filma

“Love” merr 6 çmime në SHBA, Genti Kame: Çmimi im i takon gjithë filmit

Filmi “Love” me metrazh të gjatë i regjisorit Dionis Papadhimitri rrëmbeu 6 çmime kryesore në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Virxhinian e Veriut në SHBA.

Produksioni shqiptar që mbizotëroi në kinematë e vendit në vitin 2019 mori çmimet si: filmi më i mirë artistik, regjia më e mirë, skenari më i mirë, aktori më i mirë që e mori Genti Kame, aktori më i mirë në rol dytësor, Gentian Zenelaj si dhe filmi më i mirë me metrazh të gjatë në gjuhë të huaj.  

Në rolin kryesor është aktori Genti Kame, që sjell me shumë ndjenjë një personazh të ri, i cili kthehet në Tiranë pas një kohe shumë të gjatë i lodhur nga bashkëjetesa dhe kërkon të takojë miqtë e mbase dhe dashurinë.

Për aktorin Genti Kame, i cili është vlerësuar me çmimin aktori më i mirë në këtë festival, ky çmim i takon gjithë filmit si vepër artistike.

“Në festivalin e fundit në Virxhinia filmi ‘Love’ ishte nominuar për 14 çmime, nga të cilat mori 6 çmime. Për sa i përket çmimit tim që ishte aktori më i mirë i festivalit është një çmim që unë mendoj se i takon pa dyshim filmit sepse është filmi, tërësia e tij, vepra artistike ajo që i merr të gjitha çmimet dhe meritat”, shprehet aktori Genti Kame për Gazetën “Si”.

Kame thotë për Gazetën “Si” se niveli i përgjithshëm i veprës artistike, është ai që kondicionon nivelin vetjak të gjithsecilit aktor.

“Normalisht një aktor bën punën e vet, por nëse nuk ka një kast të mirë aktorësh, nëse nuk ka një regjisor të mirë, nëse nuk ka një skenar të mirë, nëse nuk ka një teknikë kinematografike të mirë, që përfshin stafin teknik, që nga kamera, që nga zëri etj. me radhë, pra gjithë këto parametra. Pra nuk mund të ketë normalisht çmim vetëm për aktorin, sepse niveli i përgjithshëm i veprës artistike, është ai që kondicionon nivelin vetjak të gjithsecilit”, vijon më tej Kame për Gazetën “Si”, ndërsa shton se “ka qenë një film në të gjitha parametrat i mirë, për këtë arsye ka marrë edhe disa çmime”.

Aktori Genti Kame

Ndër të tjera, Kame përgëzon regjisorin Dionis Papadhimitri, për frymën moderne që ka sjellë në kinema.

“Dua të përgëzoj në radhë të parë regjisorin e këtij filmi, Dionis Papadhimitri, pasi sjell një frymë të re kinemaje, moderne, të mirëmenduar. Është një film me të gjitha parametrat që shohim edhe jashtë. Një film që mund t’i kapërcejë kufijtë e Shqipërisë edhe në rang shitjesh”, thotë ndër të tjera Kame, ndërsa njofton se “së shpejti filmi do të jetë dhe në disa festivale të tjera në SHBA dhe në Europë dhe priten rezultate të mira”.

Edhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë i quan sukses për filmin “Love” këto çmime që mori në “Northern Virginia International Film Festival” në SHBA.

“Sukses për filmin ‘Love’, regjia Dionis Papadhimitri, prodhim i shtëpisë kinematografike ‘Papadhimitri Film Production’. Fitoi 6 çmime në festivalin ‘Northern Virginia International Film Festival’. Filmi më i mirë; regjisori më i mirë, Dionis Papadhimitri; skenari më i mirë; aktori më i mirë, Genti Kame; aktori më i mirë dytësor, Gentian Zenelaj, filmi më i mirë në gjuhë të huaj”, shprehet Qendra Kombëtare e Kinematografisë (QKK).

Filmi “Love”

Filmi “Love” është xhiruar në Tiranë dhe është një prodhim i shtëpisë kinematografike “Papadhimitri Film Production”, financuar më parë nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë.

Filmi ka në qendër të tij Gerin që kthehet në Tiranë pas një kohe shumë të gjatë i lodhur nga bashkëjetesa dhe kërkon të takojë miqtë e mbase dhe dashurinë.

Ndërthurur me episode komike, ai jo vetëm që nuk gjen asgjë nga ato që ka lënë, por një pjesë e miqve janë në kriza edhe më të mëdha.

Në film marrin pjesë dhe aktorët Gent Hazizi, Herion Mustafaraj dhe Gentian Zenelaj. Ndërkohë plot sensualitet hyjnë në role dhe aktoret Olta Gixhari, Rozi Kostani dhe debutuesja Sara Kolami.

Subjekti në thelb që në planet dhe dialogjet e para të shfaqura ngre një pyetje. Dashuria, çfarë është? Përgjigjja vjen më pas gjatë filmit në gojën e personazheve, që në ndjenjën e dashurisë përfshihen në mënyrë simbolike stinët dhe për të treguar atë që përjetojnë të gjithë njerëzit teksa dashurohen.

Filmi madje merr përsipër të flas edhe për komunikimin shpirtëror ku çdokush gjen veten në çdo pjesë të tij. Vlerat morale dhe shoqërore janë aty, të fragmentarizuara sipas personazheve në një kaos të qetë në sipërfaqe dhe me shumë vuajtje për secilin prej tyre për të thënë se familja është dhe do të ngelet institucioni më i ndërlikuar që shoqëria njerëzore ka krijuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë