Ana e errët

Lotaritë e fatit, çfarë po ndodh? Dhjetëra të arrestuar, por kush po e merr drejtimin?!

Gazeta Si – “Jam lojtar dhe nuk organizoj lojëra fati”. Ky qe argumenti i një të riu të arrestuar pranë Tregut Elektrik në Tiranë, teksa u kap duke vendosur baste në telefon.

Pavarësisht kësaj, ai përfundoi nën arrest nga komisariati numër një për organizim të lojërave të fatit.

Si provë materiale, iu bllokua nga agjentët një aparat telefoni. Por burimet e prokurorisë, i thanë Gazetasi.al se po vërejnë një numër të lartë të arrestuarish veçanërisht në Tiranë për organizim të lojërave të fatit.

Nga vëzhgimi i kryer nga i njëjti fenomen, po ndeshet edhe në disa qytete të vendit, si në Lezhë, Vlorë, Shkodër dhe Fier.

Ekspertët e kontaktuar nga Gazetasi.al, thanë se nuk ishin në gjendje të komentonin këtë trend arrestimesh mbi lojërat e fatit, por një burim policor i shpjegoi ndalimet për lojërat e fatit si të lidhur direkt me ndryshimet në kupolën e Policisë së Shtetit dhe stepjen e disa shefave të dyshuar si ttë lidhur me eksponentë të caktuar në këtë natyrë krimi.

“Ne disponojnë të dhëna të pakundërshtueshme dhe operative, se në lojërat e fatit ka shtrirë aktivitetin edhe një emër i lakuar më herët në politikë dhe që është pjesë e biznesit”, - tha një oficer kundër hetimit të krimeve ekonomike, por pa specifikuar se për cilin personazh bëhet fjalë.

Nuk ka asnjë koment nëse ky trend aksionesh sporadike (edhe pse të pa rëndësishme), kanë apo jo lidhje me ngjarjet më të fundit për zhdukjen pa adresë të “mbretit” të lojërave të fatit, Ervis Martinaj, i cili vijon të jetë në kërkim prej muajit maj, sipas një mandati të prerë nga Gjykata e Posaçme Antikrim.

E.E., 30 vjeç nga Kukësi, u kap për të njëjtën akuzë, atë të organizimit ose ushtrimit të veprimtarisë së lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin.

Ai u kap si dhjetëra të tjerë të arrestuar gjatë dy muajve të tjerë në një lokal. Dosja që iu tregua Gazetasi.al, thotë se i riu gjendej në lokalin “XH”, në rrugën “Xhavit Shyqyri”, Tiranë.

“Gjatë kontrollit në subjektin e lartpërmendur, - thotë policia, - u konstatua aktivitet i lojërave të fatit, si ato të lotove të sportit. Ky aktivitet u konstatua në celularin e E...”.

Realisht, aktiviteti në telefonin e të riut ishin disa faqe të hapura  në aplikacionin 'whatsupp', ku u vërejt se i dyshuari priste bileta për klientët dhe ua dërgonte.

“I frekuentoj këto faqe për hobi, duke qenë se jam pasionant i ndeshjeve sportive dhe në momente të cakuara kaloj kohën duke vënë baste. Luaj për hobi”, - kundërshtoi i riu policinë, që sakaq i vendosi prangat.

Të njëjtin fat si ai, patën atë ditë dhe pesë të rinj të tjerë. Policia përmend jo zyrtarsisht për Gazetasi.al, se në të paktën një muaj në Tiranë, u prangosën, por më pas u lanë të lirë nga gjykata, 42 shtetas, që të gjithë për akuzën e lojërave të fatit.

R.XH., iu kap telefoni “iphone” nga policia në lokalin-bilardo. Edhe atij, iu konstatuan foto dhe shkrim për koeficiente.

“Gjithashtu në këtë telefon, ka edhe një llogari-‘account’, ku vendosen baste online, kryesisht në faqen ‘eagle 04.com’ dhe në të, api logohet me emrin Napoli…”, - shkruan policia, e cila ka vepruar si dhe me të tjerët me sekuestrimin e telefonit.

“Kam biznes familjar, ndonëse është bilardo. Kurrsesi nuk ka ndodhur të luaj lojëra fati. Fotografitë që keni gjetur, janë për përdorim vetjak, pasi si çdo tifoz  edhe unë ndjek  ndeshje futbolli. Në asnjë moment nuk kam klikuar për qëllime fitimi”, - shfajësohet edhe ai.

Në krah të tij dhe të të gjithë të dyshuarve ka dalë Prokuroria e Tiranës, sipas të cilës çështjet në gjykatë sapo janë referuar për masa sigurimi dhe janë lënë detyrim paraqitje.

Megjithatë, sipas agjentëve, shumica e të ndaluarve dyshohet se janë tifozë. Asnjë prej tyre nuk ka një përgjigje se çfarë po ndodh me lojërat e fatit dhe nëse në të vërtetë, në botën e nëndheshme të tyre po zhvendoset pushteti i tyre drejt duarve të tjera.

Kur komisariati numër një shkoi për kontroll në një bar-bilardo në rrugën “Ali  Shefqeti” në Shkozë, gjeti të njëjtën situatë tek pronari i saj, si edhe kudo tjetër.

Në telefonin e A.K., u gjetën të hapura llogari bastesh. Edhe ai deklaroi sipas burimeve të Gazetasi.al.

“Kam tetë vjet me lokal, nuk organizoj lojëra fati dhe as që e përdor biznesin për këto punë. Jam lojtar”, - tha dhe i arrestuari i radhës. Por edhe ai shkoi në shtëpi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë