Futboll

Lorik Cana rrëfen Shqipërinë dhe Lacion: De Biazi theu barriera të mëdha

“Sunderland ’Til I Die” dhe disa llamba te thyera, kjo është karantina në shtëpinë e Lorik Canës, ish-kapitenit të Kombëtares. Ai ka folur për “Gazzetta dello Sport” për Lacion dhe disa tema të tjera. “Po kënaqem me vajzën e sapolindur, shikoj televizor dhe luaj me top me djalin. Ai është 4 vjeç dhe argëtohemi në korridor. Kemi thyer disa gjëra, por mami na ka mirëkuptuar”, - thotë mes të tjerash Cana në intervistë.

Lorik Cana jeton në Romë, është kthyer në shtator pas 3 muajsh në Tiranë. Si të gjithë, pret të marrë fund kjo situatë e pazakontë. Kur luante, e quanin “Luftëtari”, u tërhoq nga futbolli në 2016-ën, pas Europianit të Francës, një ëndërr e realizuar për të. Katër vite në Itali, 2011-2015, 111 ndeshje dhe 4 gola. “Fati është i çuditshëm. Ka qenë një aventurë e bukur. Pas 3 muajsh në Romë, takova bashkëshorten time të ardhshme”, - shprehet Cana. Tani, në moshën 36-vjeçare, ai është gati për sfida të reja.

Lorik, ju jeni gjithmonë i impenjuar në jetën sociale…
Në vitin 2017 kam krijuar një fondacion “no profit” për të promovuar sportin në Shqipëri, ‘Lorik Cana 5 Foundation’. Kemi ndërtuar fusha dhe infrastrukturën e nevojshme për të përfshirë mijëra fëmijë në futboll.
Kryeministri Edi Rama, dërgoi 30 mjekë në Itali. Ndiheni krenar?
Shumë, ishte një gjest i madh. Ne shqiptarët kemi zemër të madhe dhe atë e tregojmë në vështirësi. Pas rënies së komunizmit, Italia na ka qëndruar pranë, ka pritur në porte anijet me familjet tona. Rama na ka bërë krenarë për atë që jemi dhe ky ishte një mesazh për botën.

Nga ceremonia e lamtumirës së Canës nga Kombëtarja. Gazeta Si, 9 prill 2020

Si historia juaj, nga mërgimi në Europian…
E pabesueshme. Jam një ndër shqiptarët e parë që kam luajtur si profesionist jashtë vendit. Kujtoj PSG-në e lojtarëve si Ronaldinjo, Poketino e Okoça. Pastaj Marseja ime, një qytet vullkan. Ishim një superskuadër me Nasri, Ben Arfa, Bartez, Sise, Riberi. Frenk bënte tifozët të ëndërronin, një shakaxhi i madh, që në fushë transformohej, ishte një fenomen. Isha i ri dhe mund të zgjidhja një kombëtare tjetër, por doja Shqipërinë. Një zgjedhje zemre dhe koha më dha të drejtë.
De Biazi bëri një punë të madhe me skuadrën tuaj, apo jo?
Patjetër, ai na dha një ndihmë të madhe, theu karriera burokratike të mëdha. Kërkoi lojtarë në gjithë Europën, nga Zvicra në Gjermani, dhe i bindi të zgjedhin Shqipërinë. Janë shembujt e Taulant Xhakës, Mavrajt, Bashës e shumë të tjerëve. Bëri një luftë të madhe ligjore për t’i bërë këta lojtarë të luanin me ne. Krijoi frymën e bashkëpunimit dhe kështu ia dolëm të shkruanim historinë.

Lorik Cana dhe De Biazi. Gazeta Si, 9 prill 2020

Kalojmë te Lacio. Çfarë eksperience ishte?
Muajt e parë të vështirë, pastaj 4 vjet fantastikë. Sa herë flas për Romën, nuk mund të harroj 26 majin, finalen e Kupës së Italisë, që e fituam ndaj Romës. Ndoshta viti më i mirë ishte i fundit, ai me Piolin, shkuam në paraeliminatoret e Championsit, pasi mundëm Napolin javën e fundit. Kisha fatin të luaja me Klosen, shokun më të fortë, por edhe Felipe Anderson ishte shumë i fortë. Gjithmonë me Piolin, në 2014-15-ën bëri 5 muaj të jashtëzakonshëm. Jam shumë i lidhur me Lacion.
Po Tare?
Jemi miq prej kohësh. Kur shkova ën kombëtare, isha 19 vjeç, ai ishte një nga senatorët dhe më ka qëndruar gjithmonë shumë pranë.
Si ju bindi të firmosnin për Lacion?
Isha te Gallatasaraji, më kishte kërkuar që pas sezonit që isha te Sunderlendi, një tjetër përvojë për t’u treguar. Çdo ndeshje ishte një festë. Tare më telefonoi në mars dhe më pyeti nëse isha i interesuar, ishte oferta më e mirë. Kujtoj që në bisedimet me përfaqësuesit e mi nuk ndërhynte. Kur u mbyll marrëveshja, ishte bërë ujë me djersë, por ishte i lumtur.

Cana dhe Tare, kur ishin të dy te Lacio. Gazeta Si, 9 prill 2020

Reja, Petkoviç, Pioli. Na tregoni pak për ta?
Kam kujtime të bukura me të gjithë. Nga Reja kam mësuar shumë, e njoha kur isha 28 vjeç dhe më ka dhënë shumë. E njëjta gjë edhe për Piolin, luajtëm një kampionat të bukur. Petkoviç më ka lënë mbresa të forta, është një person i jashtëzakonshëm. Pati një impakt të madh në futbollin italian, stërvitja e tij ishte e fortë. Më kujtohet faza përgatitore në Auronzo, zgjimi në 6.30 të mëngjesit dhe drejt e në fushë. Kishte ide të qarta, një lojë të bukur, ishte shumë i përgatitur. Në fillim nuk e njihte askush, vetëm Luliç, pastaj e vlerësonin të gjithë.
Çfarë raportesh keni me Simone Inzagin?
Jemi miq, banojmë në të njëjtën zonë. Takoheshim kur drejtonte të rinjtë e Lacios. Nga ana taktike isha i sigurt se do ta thoshte fjalën e tij, ishte i zoti që me të rinjtë, por nga ana karakteriale nuk mendoja se do të mbante një grup të tillë. Do të ketë një të ardhme të madhe.
Ndoshta si Ferguson?
Simone është lacial, është rritur këtu, tifozët e duan. Pse jo si Ferguson. Ka një skuadër të mirë, që ka treguar se mund të luftojë deri në fund për titull.

A ju ngjan ndonjë lojtar te kjo Lacio?
Açerbi. Është një lider, historia personale e ka mësuar të mos dorëzohet kurrë.
Një kujtim me Strakoshën?
Ishte një djalë i gjatë dhe i shëndoshë. I thashë të dobësohej pak dhe më pas e shihja më shumë në palestër se në dhomë. Jetonte në Formelo dhe kalonte shumë orë duke u stërvitur. Kishte uri për të ardhmen dhe jam i lumtur për atë që ka arritur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë