Mbështetësit e Monarkisë kanë nisur që sot të flenë në trotuare për të zënë radhë për ceremoninë mortore të Mbretëreshës Elisabetë në Londër, përpara se kjo ceremoni të hapet zyrtarisht nesër (14 shtator). Autoritetet besojnë se ata që do të vihen në radhë për të respektuar Mbretëreshën mund të presin edhe deri në 35 orë përpara se të shohin arkivolin e saj. Zyrtarët presin që Westminster Hall të ketë kapacitet për rreth 350,000 njerëz për të parë arkivolin e Mbretëreshës, pavarësisht se ky vend do të jetë i hapur për 24 orë në ditë, nga ora 17:00 nesër deri në orën 6:30 të mëngjesit të hënën e ardhshme – ditën e funeralit.





Pritet që nga 750,000 deri një milion njerëz t’i tregojnë respekt Mbretëreshës dhe të vihen në radhë për të parë arkëmortin e saj, por ka të ngjarë që shumë prej tyre ta humbasin këtë rast, ndërkohë që shumë të tjerë as do të mund të afrohen në zonë për shkak të kaosit që pritet në rrjetin e transportit publik.





Duke marrë parasysh numrat e pritshëm të vizitorëve, të krahasueshëm me ata në shërbimin mortor të Princeshës Diana në 1997, krerët e hekurudhave po hartojnë plane për trenat 24-orësh në Londër. Disa stacione trenash edhe mund të mbyllen nëse ka probleme me kontrollin e turmës.





Hotelet kanë parë një rritje të madhe të prenotimeve që nga vdekja e Mbretëreshës në Balmoral të enjten e kaluar, me prenotime në bllok për akomodim. Çmimet e hoteleve tani janë deri në katër herë më të larta për këtë të diel – një natë para funeralit – krahasuar me një javë më vonë, dhe kërkesa për të qëndruar në Londër gjatë dy javëve të ardhshme është tani në nivelin më të lartë që nga Lojërat Olimpike të 2012-s. /dailymail
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




