Lojëra me Dore

Lojë spiunësh në NBA, telefonata anonime për rivalët e padisiplinuar

Faza finale e basketbollit amerikan në “Disney World”, në Orlando, - në qendër të epidemisë në Amerikë, - ende nuk ka nisur, por lufta e nervave mes 22 skuadrave pjesëmarrëse është mjaft e ndjeshme. Kuptohet nga numri i lartë i telefonatave në numrin e denoncimit anonim për thyerjen e protokollit anti-Koronavirus. Kjo ka sjellë edhe ndëshkimin e lojtarëve të padisiplinuar gjatë këtyre ditëve të fundit.

Nga organizatorët e NBA-së është vënë në dispozicion një linjë telefonike anonime, ku basketbollistët dhe drejtuesit e skuadrave mund të telefonojnë për të denoncuar dikë që nuk po e zbaton protokollin, apo që nuk përdor mjetet e nevojshme të sigurisë që pengojnë përhapjen e Covid-19 brenda ambienteve të “Disney World”, në Orlando. Gjatë 24 orëve të fundit, sipas medieve amerikane, ka pasur shumë telefonata dhe lojtarë të ndëshkuar, pasi kanë qenë pa maskë, apo kanë shkelur ndonjë rregull tjetër të distancimit social.

Duajt Hauard, një nga të ndëshkuarit pas telefonatave anonime. Gazeta Si, 17 korrik 2020

Një nga të ndëshkuarit është, për shembull, Duajt Houard, qendra e Lejkërsave, i cili nuk kishte mbuluar hundën dhe gojën me maskë, teksa ishte duke lëvizur nëpër hotel. E ka thënë vetë basketbollisti për gazetarët gjatë konferencës për shtyp, duke shpjeguar se është ndëshkuar dhe se e kishte të ndaluar të replikonte për sjelljen e tij.

Dikush tjetër, duke bërë shaka (jo shumë) për këtë risi, ka theksuar se ka gjetur mënyrën e duhur për të rritur shanset e fitimit të titullit nga Klipersat. "Kam denoncuar LeBron Xhejmsin dje në mbrëmje, - thotë duke qeshur Dok Rivers, trajneri i Klipersave, - ndërsa sot e ka radhën Popoviç. Dua t’i ndëshkoj të gjithë, qëllimi im është që të mbetemi skuadra e vetme e plotë që do zbresë në parket. Nuk është situatë normale, ka shumë të infektuar dhe duhet të jemi inteligjentë. Duhet të bëjmë punën tonë dhe duhet të kemi një pikë referimi, ku të drejtohemi për ndihmë".
Burimi: Sportmediaset/ Përktheu: Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë