Gazeta Si – Arrestimi i Svetlana Timofeevas në Shqipëri, 33-vjeçarjes të akuzuar për spiunazh, ka vënë në lëvizje autoritetet ruse.
Lajmi nga mediat vendase, se për fotografen është lëshuar një fletë-arresti ndërkombëtar, duket si një gjë e zakonshme në morinë e ngjarjeve dhe luftës në Ukrainë.
Por akuzat që ngrihen ndaj saj në Moskë, për marrjen në mënyrë të paligjshme të sekretit shtetëror, e kanë kthyer çështjen në një “lojë spiunësh”.
LEXO EDHE:
- Jo vetëm Gramshi, në mes të pandemisë ‘spiunia’ ruse hyri e qetë te bazat në Gjadër dhe Porto Palermo (Foto)
- ‘Spiunët rusë me role të ndara’, fotografuan dhe baza të tjera ushtarake në gusht. Ja pse erdhën këtë radhë..
Prapa këtij vendimi (për të cilin thuhet se është lëshuar dy muaj më parë), duket se fshihet qëllimi për ta “ruajtur” 33-vjeçaren nga frika se mund të “flasë”. Përmes këtij fletë-arresti, duket se Rusia fiton të drejtën për të kërkuar ekstradim.
Shqipëria dhe Rusia kanë një marrëveshje ekstradimi të nënshkruar prej vitit 1996, por mes dy shteteve nuk ka pasur raste apo kërkesa për të proceduar në këtë fushë.
Pyetja që lind është, se a mund të vihet në funksion sistemi i ekstradimit? Në fillim Rusia duhet të japë prova për kërkuar një ekstradim të tillë dhe të provojë nëse pesha e akuzave atje është më e madhe se ajo në Shqipëri.
Lëvizja e gjykatës ruse, duket më shumë si një manovër loje ndaj autoriteteve shqiptare për të mos e braktisur 33-vjeçaren, e cila mund të ketë dijeni për shumë sekrete dhe mund të rrezikojë burg në Shqipëri për akuzat për spiunazh.
Por nga ana tjetër, është edhe një mënyrë për t’i dhënë një mesazh Timofeevas për të heshtur për sekretet shtetërore ruse që ajo ka informacion.
Një ditë më parë, Ministria e Jashtme shqiptare, tha se ka marrë notë verbale nga ana e Ambasasdës Ruse në lidhje me dy shtetasit rusë të arrestuar me akuzën e spiunazhit, por kundërshtoi pretendimet e Ambasadës në lidhje me kohën e marrjes së kësaj note.
Në të njëjtën deklaratë zbulohet një detaj, sipas të cilit rusët e ndaluar nuk kanë kërkuar që të kontaktojnë me Ambasadën e tyre në Tiranë, gjë që mund të ketë ngjallur shqetësim në Moskë për "pavarësinë" ligjore të rusëve të arrestuar.
Zyra e shtypit e Gjykatës së distriktit të Meshchansky, konfirmoi për RBC se për Timofeeva Svetlana Valeryevna, ishte marrë masa e arrestit në mungesë dy muaj më përpara, duke e akuzuar për “marrje të paligjshme nga një grup personash të informacionit që përbën sekret shtetëror me rrëmbim, mashtrim, shantazh, shtrëngim, kërcënim për dhunë ose në çdo mënyrë tjetër të paligjshme. Neni a" pjesa 2 e Artit. 283.1 i Kodit Penal parashikon dënimin në formë burgimi deri në tetë vjet”.
Svetlana Timofeyeva është arrestuar të shtunën e shkuar në Shqipëri, bashkë me një rus dhe ukrainas në uzinën e armëve në Gramsh.
Ata u kapën në perimetrin e uzinës dhe njëri prej tyre, në tentativë për të ikur sulmoi me sprej rojet ushtarake, të cilët i neutralizuan.
Dy ditë më parë, Gjykata e Elbasanit i la në burg rusët dhe ukrainasin për veprat penale "sigurimi i informatave" dhe "goditje për shkak të detyrës".
Timofeeva njihet si fotografe e fabrikave funksionale dhe atyre të braktisura në Europë dhe i publikon në llogarinë e saj në Instagram, në të cilën ka mbi 250 ndjekës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.