Ngjarje

Loja “macja me miun” në Unazën e Re

Edhe pse ditë festash, banorët e Unazës së Re qëndrojnë vigjilentë për t’iu kundërvënë në çdo moment ndërhyrjeve të punonjësve të Bashkisë së Tiranës, Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.

Punonjësit e këtyre institucioneve janë përpjekur ditët e fundit që të heqin nga rruga pemët, ndriçimin dhe tubacionet e kanalizimeve. Deri më tani punimet kanë ecur nga krahu i Sheshit Shqiponja dhe në anën tjetër tek mbikalimi pranë Pallatit me Shigjeta.

Por, mes këtyre dy skajeve të aksit prej 2.2 kilometrash ndodhen pjesa më e madhe e banesave të palegalizuara të projektuara për t’u shembur. Puna për prishjen e banesave të protestuesve nuk ka nisur ende, por për të treguar një shenjë rezistence banorët kundërshtojnë edhe fazën e parë të projektit.

“Pas ndriçimit, pemëve dhe kanalizimeve të ujësjellësit ne e dimë që është radha e shtëpive tona. Prandaj po e ndalojmë që tani këtë të keqe”, thonë një pjesë e protestuesve që paraditen e 29 nëntorit i gjen tek baret në krah të rrugës.

Blloqet e betonit të vendosura nga ARRSh ditën e mërkurë. Foto LSA

Pasditen e së mërkurës u vendosën nga ARRSH blloqe betoni duke bllokuar njërën korsi të rrugës nga të dyja anët për t’u hapur rrugë makinave të bashkisë, OSHEE dhe UKT për të hequr pemët, kabujt elektrikë dhe tubacionet e ujësjellësit. Por, në mbrëmje, në shenjë proteste banorët i shemben këto blloqe në mes të rrugës.

Banoret duke rrëzuar blloqet e betonit

Protestat e vazhdueshme i kanë lodhur dhe banorët akuzojnë për dhunë ndaj tyre. “Ça të bëjmë?! Ku të shkojmë?! Po protestojmë me turne. Ça s’po bëjnë që ne të heqim dorë, por ne nuk do të dorëzohemi”, thotë një grua.

Kërkesa kryesore sot nuk është më mosprishja e shtëpive, por dhënia e një dëmshpërblimi sipas çmimit të tregut. Një pjesë e protestuesve kërkojnë që dëmshpërblimi të realizohet si në aksin e Komunës së Parisit, segment tjetër i Unazës së Madhe. Në këtë aks, përmes një vendimi të 20 tetorit 2011, qeveria e asaj kohe vendosi shpronësimin për interes publik. Por, ish-zyrtarë të ALUIZNI-t thonë për gazetën “Si” se para shpronësimit ndodhi legalizimi i plotë i zonës dhe më pas u dha dëmshpërblimi për banorët sipas çmimeve të referencës.

“Na erdhi udhëzim nga Këshilli i Ministrave në atë kohë për të përshpejtuar procesin e legalizimit për ndërtesat e ngritura, ku do të realizohej projekti i Unazës së Madhe. E zbatuam me shpejtësi dhe më pas ndodhi shpronësimi. Me sa mbaj mend unë aty u legalizuan të gjitha ndërtesat”, thotë në kushtet e anonimatit një ish-zyrtar i ALUIZNI-t në Tiranë për gazetën “Si”.

Gjatë ceremonisë së hapjes së segmentit tek Komuna e Parisit të Unazës së Madhe

Për shpronësimin e banorëve, që kishin ndërtuar me dhe pa leje në këtë zonë u caktua një fond prej 69 milionë lekësh. Por, në rastin e “Astirit” numri i ndërtesave që duhet të prishen është më i madh, e rrjedhimisht edhe me kosto më të lartë.

Në total janë 317 ndërtesa që ndodhen në vijën e shembjes. Nga këto, ALUIZNI ka përjashtuar 107 ndërtesa, ndërsa pjesa tjetër, ose janë legalizuar dhe do të dëmshpërblehen, ose janë ende në proces verifikimi.    

Protestuesit na thonë se legalizimet janë bërë me rryshfet. “Mua më kanë kërkuar 30 mijë euro rryshfet për të më legalizuar banesën dhe biznesin që kam. Sot do të isha edhe unë si ca këtu që i kanë të legalizuara dhe do të marrin dëmshpërblim. Por, unë s’kisha mundësi t’i paguaja”, thotë një prej tyre.

Gjurmë prishjesh banesash nuk gjen ende dhe protestuesit e mohojnë se ka patur deri më tani.

“Dje (të mërkurën) kemi dalë që në 11 të paradites. Na thanë që po prishej tek Shqiponja, shkuam atje. Pastaj dolën lajmet se po prishej nga ana e mbikalimit tek Pallati me Shigjeta. Shkuam edhe atje, por prishje nuk pamë, përveç heqjes së ndriçimit dhe të pemëve, që nuk do t’i lejojmë këtu para shtëpive tona”, deklarojnë banorët.

Pyetëm banorët nëse një përfaqësi e tyre ka zhvilluar së fundmi takime me kryebashkiakun Erion Veliaj. Ata e mohuan. “Nuk e dimë kush ka shkuar atje, por ne jo njëherë”.

Nëse për protestuesit identiteti i personave që u takuan me Erion Veliajn është i panjohur, për Partinë Demokratike jo. “Në atë takim ishin punonjës të policisë bashkiake dhe të administratës së bashkisë. Nuk kishte banorë në atë takim”, deklaroi mbrëmjen e së mërkurës deputetja e PD-së, Albana Vokshi.

Deputetja e PD, Albana Vokshi gjatë denoncimit se në takimin me kryebashkiakun Erion Veliaj, sipas saj, kanë qenë të pranishëm punonjës të administratës bashkiake dhe jo banorë të Unazës së Re

Disa biznese dhe banesa kanë nisur vetë që t’i largojnë mallrat e tyre, kryesisht në zonën pranë Sheshit Shqiponja, ku edhe pse ditë festash administrata e Bashkisë së Tiranës ishte në punë. Ndërmarrjet e bashkisë shkulën pemët në trafikndarësen dhe në dy anët e rrugës e rrugës dhe më pas makineritë e Ujësjellës-Kanalizimeve u shfaqën për të zhvendosur tubacionet që preken nga zgjerimi i rrugës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë