Menaxhim

Llotot, vendimi i ri: Emri i ‘userit’ në biletë dhe rregulla strikte për sigurinë e faqeve

Nga Gazeta ‘SI’ – Qeveria shqiptare ka miratuar një rregullore strikte për operimin e platformave të basteve sportive on-line. Kjo VKM synon të krijojë një mjedis të sigurt dhe plotësisht të monitorueshëm, duke i detyruar subjektet të përmbushin kritere të larta teknologjike përpara se të dalin në treg.

Vendimi i ri, që bazohet kryesisht në strukturën teknike që duhet të kenë faqet online të basteve, kërkon 7 lloje certifikimesh për subjektet e interesuara, duke përfshirë sigurinë e informacionit, kartave bankare dhe ato specifike për lojërat e fatit.  

Sipas VKM-së, faqet e llotove duhet t’i japin akses autoriteteve përgjegjëse. Sistem duhet t’u ofrojë lojtarëve informacione për gjendjen financiare, humbjet, fitimet dhe informacion të detajuar për çdo lojë. Sistemet e basteve duhet të monitorohen në mënyrë të vazhdueshme 24 orë në ditë, ndërsa regjistrat elektronikë të veprimeve dhe transaksioneve duhet të ruhen për të paktën 5 vjet për qëllime kontrolli dhe auditimi nga autoritetet.

Po ashtu, përcaktohet se bileta e bastit dhe fatura elektronike duhet të kenë të shënuar emrin ose ID-në e lojtarit, emrin dhe NIPT-in e biznesit, ngjarjen sportive, koeficientin dhe shumën. Në biletë duhet të jetë shkruar slogani:“Lojërat e fatit krijojnë varësi. Kujdes në ushtrimin e tyre të tejzgjatur!”.

Llogaritë e lojtarëve do të trajtohen me siguri të lartë dhe me disa hapa verifikimi. Përdoruesit nuk duhet të jenë në gjendje të krijojnë më shumë se një llogari aktive për çdo identitet të verifikuar.

Aktiviteti i basteve vazhdon të operojë në të zezë, pasi ligji i miratuar 2 vite më parë nuk ka gjetur zbatim. Sipas llogarive janë rreth 150 mln euro të ardhura të humbura për shtetin, çdo vit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë