Politike

Llogaritë e PD: Fiskalizimi, 2 mijë euro taksa në vit do t’u shtohen bizneseve

Nga përllogaritjet e Partisë Demokratike, biznesit do t’i kushtojnë 2 mijë euro shtesë në vit reforma e fiskalizimit, që hyn në fuqi nga 1 janari i vitit të ardhshëm.

“Që nga 1 janari i vitit të ardhshëm, bizneset dhe sipërmarrjet në Shqipëri do të paguajnë afërsisht 2000 euro në vit shtesë. Kjo kosto ekstra për bizneset e rrënuara nga kriza dhe pandemia, është “dhurata” e re e Edi Ramës për klientët e tij dhe i ka kushtuar xhepave të shqiptarëve 16 mil euro”, deklaroi ish-deputetja e PD, Jorida Tabaku.

Opozita akuzon se Qeveria ka dhënë një koncesion korruptiv, që rëndon xhepat e shqiptarëve.

“Bizneset e mesme dhe te vogla do të rëndohen dhe më tej për të paguar këtë konçension të ri, dhënë një kompanie kroate si qokë personale e Ramës dhe që do të paguhet nga xhepat e shqiptarëve. Fiskalizimi përfshin një shtesë të kostove të internetit me mesatarisht 130 euro në vit, ndërkohë që vlera e përditësimit të sistemeve financiare shkon mesatarisht deri në 500 euro në vit nëse biznesi zotëron një llogari (pra një të punësuar apo vetëpunësuar). Të gjitha këto përllogaritje kryhen pa pasur parasysh çmimet që do të ofrojnë kompanitë që do të merren me programin e fiskalizimit. Por burimet nga sipërmarrjet që kanë kryer disa llogari personale flasin për një kosto të faturave të fiskalizimit që shkojnë mbi 650 euro deri në 1626 euro/vit”, vijon Tabaku.

PD vlerëson se këto janë taksa të fshehura, që nxjerrin zbuluar, sipas opozitës, gënjeshtrën e Ramës se bizneset e vogla nuk do të paaguajnë asnjë taksë duke filluar nga 1 janari i 2021.

“Boll më me gënjeshtra! Boll më me sjellje arrogante që vetëm i marrin frymën biznesit sidomos në këto kohë pandemie”, mbyll reagimin e saj ish-deputetja Tabaku.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë