Rend dhe Ligj

Apeli vendos më 22 shtator, Llalla kërkon të mos bëjë burg: Jam i sëmurë në regjim spitalor

Adriatik Llalla i është drejtuar Gjykatës së Apelit me tre kërkesa, mes të cilave edhe ajo për pezullim të ekzekutimit të vendimit me burg për arsye shëndetësore.

Vetë ish-kryeprokurori i dënuar me dy vite burg nuk ishte i pranishëm në seancë, por përmes avokatit të tij shtroi kërkesën për pafajësi, kthim të çështjes për rigjykim në shkallën e parë, ose në rast fajësie pezullim të dënimit me burg.

Kërkesa për pezullim të dënimit u mbështet te një akt-ekspertimi që avokati i paraqiti gjykatës në të cilin thuhej se Adriatik Llalla ishte i sëmurë dhe në regjim spitalor.

Llalla u dënua me dy vite burg më 20 maj nga shkalla e parë e Gykatës së Posaçme. Veç burgut, ai ndalohet edhe që të kryejë funksione publike për pesë vite.

Ish-kryeprokurori u dënua për “fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë”.

Veç këtyre, Llallës iu vendos konfiskimi i 22 mijë metrave/katrorë truall dhe një apartamenti në Durrës. Prej shkurtit 2018, Llalla është pjesë e listës së zezë të Departamentit Amerikan të Shtetit, që i ka ndaluar hyrjen në SHBA atij dhe familjarëve.

Sipas mbrojtjes, çështja ndaj Llallës është e paragjykuar, e njëanshme, e padrejtë, e paligjshme dhe e stisur.

Në lidhje me këtë çështje, pritej një vendim përfundimtar këtë të enjte nga Gjykata e Apelit, por vendimi u shty për në datën 22 shtator.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë