Politike

Basha kërkon më shumë testime dhe ndryshime në paketën e ndihmës: Paratë janë! (Video)

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha nisi një video-konferencë live me gazetarët për të shpalosur edhe njëherë propozimet e tij për përballimin e situatës së shkaktuar nga Covid-19 dhe për të tërhequr vëmendjen se ku po gabon Qeveria.

Basha kërkoi fillimisht rritjen e numrit të testimeve dhe transparencë për kapacitetet e vendit për të kryer këto testime.

“Duhet transparencë për testimet dhe transparencë për numrin e kiteve për testimet. Thirrje për të mos vonuar më rritjen eksponenciale të numrit të testimeve me transparencë të përditshme, përndryshe sakrifica 3-javore e distancimit social është e kotë”, deklaroi Basha.

Kreu i PD-së e cilëson testimin masiv si të vetmen rrugë për përhapjen e koronavirusit dhe thotë se kostoja financiare e zgjerimit të testimeve është plotësisht i përballueshëm nga shteti shqiptar.

“3-4 euro, sipas ekspertëve është kostoja e testimit. Kostoja për të blerë mjaftueshëm kiteve testuese sa më masive sipas analizës së rriskut, është shumë më pak sesa shumat marramendëse që kemi dëgjuar për kontrata betoni. Së fundmi është hedhur një tender 411 mln lek për zyrat e Spitalit të Traumës. Nuk është prioritet mobilimi i zyrave të Spitalit të Traumës. Prioritet është marrja me urgjencë e kiteve dhe pajisjeve testuese”, tha ai.

Prej disa ditësh, Partia Demokratike kërkon nga Qeveria që të anulojë koncesionet dhe tenderat që nuk kanë për objekt shëndetësinë dhe ndihmën për qytetarët në nevojë dhe të sipërmarrjes së vogël dhe përqëndrimin e të gjitha fondeve në përballimin e situatës emergjente.

Basha tha se më pak se treçereku i bizneseve përfitojnë nga paketa financiare e ndihmës së Qeverisë dhe për këtë kërkoi që Qeveria të ndërhyjë sa më shpejt dhe të ndryshojë listën, për të përfshirë edhe kategorinë e bizneseve, që në këtë situatë formalisht janë të hapur, por për shkak të situatës nuk kanë fitim për shkak të mungesës së konsumit.

Për këtë kategori dhe për të shtuar testime, Basha i gjen paratë tek tenderat dhe koncesionet, sipas tij korruptive dhe joprioritare për momentin. Kreu i PD-së kërkoi rialokimin e 140 milionë eurove shpenzime operative të parashikuara nga Qeveria.

“Njerëzit kanë nevojë për mbështetje financiare, kanë nevojë për para. Përgjigjja për pyetjen ku t’i gjejmë paratë është fare e qartë: anulo 120 milionë euro kontrata koncesionare si fillim. Sot e ke krejtësisht të mundur me ligjin për fatkeqësinë natyrore. Së dyti, rialoko 140 milionë euro të tjera nga shpenzime operative, shpenzime luksi dhe shpenzime të tjera të cilat nuk janë domosdoshmëri në kushtet e krizës. Kjo shumë do të mjaftonte për të administruar të paktën 2 ndoshta 3 muaj të një situate të tillë dhe të jeni të sigurt që buxheti dhe ekonomia shqiptare kanë edhe mundësi të tjera, edhe rezerva të tjera për të përballuar krizën në qoftë se ka vullnet”, u shpreh ai.

Basha tha gjithashtu se Arben Ahmetaj në krye të emergjencës së Covid-19 është në konflik interesi, pa e shtjelluar më tej, por i kërkoi Ramës që ta shkarkojë nga kjo detyrë.

Më Shumë