Gazeta Si – Fitore e madhe e Shqipërisë ndaj Polonisë rivale. Ka përfunduar 2-0 ndeshja e shumëpritur, e konsideruar si finalja e madhe. Një mbrëmje magjike në ‘Air Albania’, ndeshja perfekte e Silvinjos dhe të tijve ngjit kuqezinjtë në vendin e parë në grup, në kuotën e 10 pikëve. Europiani tani është shumë afër.
LEXO EDHE:
– Formacioni/ Silvinjo befason me Strakoshën në portë, Uzuni titullar
– Odise Roshi në listën anti-Poloni, në tribunë përfundon mbrojtësi Arlind Ajeti
– “Do luajmë siç bën gjithmonë Shqipëria”, Zabaleta shpjegon ndryshimet në rreshtim: Berisha i sëmurë, Seferi vrapoi shumë
Emocione të jashtëzakonshme u ka dhuruar tifozëve shqiptarë kjo ndeshje e interpretuar në mënyrën më të mirë nga Silvinjo dhe lojtarët. Në tri ndeshje të mbetura, me Çekinë dhe Ishujt Faroe në Tiranë, dhe Moldavinë në transfertë, kuqezinjtë duhet të administrojnë sa më mirë avantazhin prej 3 pikësh me ndjekësit më të afërt, Çekinë dhe Moldavinë. Me Poloninë llogaritë janë mbyllur tashmë.
LEXO EDHE:
– Nis me tensione Shqipëri–Poloni, përplasje mes tifozëve (video)
– Tirana oshëtin nga tifozët: “Kosova është zemra e Shqipërisë” (video)
– Tifozët ndezin Tiranën para ndeshjes me Poloninë (video)
Skuadra jonë luajti me shumë kujdes, u mbrojt mjaft mirë, ndërsa në të vetmin moment të vështirë u ndihmua nga VAR-i në pjesën e parë. Një gol i shënuar nga polakët me Kivior u anulua për pozicion jashtë loje.
Bajrami dha shkëndijën e parë për Shqipërinë. Pastaj Jasir Asani ‘shpiku’ një gol nga të vetët për të futur kuqezinjtë në rrugën e fitores. Diagonale e pakapshme për Sheznin me të majtën nga ish-lojtari i Partizanit dhe 1-0. Me këtë rezultat skuadrat shkuan në dhomat e zhveshjes.
Në pjesën e dytë trajneri Silvinjo vendosi të hidhte në fushë Dakun dhe Seferin. Në prekjen e dytë të topit, sulmuesi që debutoi në Çeki shënoi golin e dytë për kuqezinjtë dhe të nokautit për Poloninë. Më mirë nuk mund të shkonte. Në gjysmëorëshin e fundit të ndeshjes stafi teknik menaxhoi mirë situatat me ndërrime, duke hedhur në fushë Baren, Mujën dhe Gjasulën.
Tentativat e dëshpëruara të polakëve u thyen nga mbrojtja e udhëhequr nga Gjimshiti dhe Ismajli. Vërshëllima përfundimtare e arbitrit spanjoll ka bërë që në ‘Air Albania’ të shpërthejë festa. Dhe jo vetëm në ‘Air Albania’. Shqipëria mund të thuhet se tashmë e ka në dorën e saj fatin e kualifkimit.
Episodet
Mbyllet ndeshja, 2-0
80′ – Silvinjo kryen ndërrimin e fundit, Gjasula merr vendin e Bajramit.
70′ – Bare në fushë, në vend të Asllanit, kurse Muja merr vendin e Asanit.
67′ – Bajrami ekzekuton një goditje dënimi në pozicion ballor, pret Shezni.
63′ – Vetëm një minutë pas futjes në fushë, Daku realizon golin e dytë për Shqipërinë. Sulmuesi merr një pasim nga Ramadani në zonë, vepron bukur, lirohet nga mbrojtësi kundërshtar dhe mposht Sheznin. 2-0.
62′ – Daku merr vendin e Cikalleshit, Seferi në vend të Uzunit.
38′ – Jasir Asani gjen trajektoren fituese me të majtë. Goditje nga distanca dhe topi pushon në rrjetën e polakëve, Shqipëria kryeson 1-0.
36′ – Asllani gjuan mbi tra pas një aksioni të bukur të skuadrës sonë. Asani kroson në zonë, Cikalleshi kthen prapa, por lojtari i Interit nuk gjen kuadratin.
21′ – Polonia në avantazh. Pas një goditjeje standarde, topi mbetet te Kivior, i cili e dërgon topin në rrjetën e Strakoshës. Pas rishikimit të pamjeve me VAR, sinjalizohet pozicion jashtë loje dhe nuk vlen goli.
17′ – Bajrami jep shkëndijën e parë me një inkursion nga e majta, pason në zonë, por askush nuk devijon.
Shqipëri-Poloni 2-0
Shqipëria: Strakosha, Hysaj, Gjimshiti, Ismajli, Mitaj, Asllani, Ramadani, Bajrami, Uzuni, Asani, Cikalleshi. Trajner: Silvinjo
Polonia: Shezni, Berezinski, Kedziora, Bednarek, Kivior, Kesh, Zimanski, Zielinski, Kryshoviak, Kaminski, Levandovski. Trajner: F.Santos
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.