Është mbajtur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në pjesën që ndan rrugën në krah të Ministrisë së Brendshme dhe Pedonalen e Tiranës, protesta e thirrur nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit dhe e mbështetur nga opozita.
Protestuesit e parë kundër prishjes së godinës së Teatrit Kombëtar janë paraqitur që herët, ndërkohë që numri i tyre u shtua me afrimin e orës 16:30, që ishte përcaktuar si orari i thirrjes së grumbullimit.
Kreu i PD, Lulzim Basha la selinë e partisë dhe iu drejtua vendndodhjes së protestës rreth orës 17:00, i shoqëruar nga drejtues të tjerë të opozitës dhe ish-deputetë të grupit parlamentar demokrat.
Ndërkohë, në podiumin e ngritur para pedonales, regjisori Robert Budina tha se ata nuk kishin dalë në shesh për asnjë parti, por për kauzën e tyre, që ishte kundërshtimi i vendosjes së diktaturës. Budina ftoi pjesëmarrësit që të mos bien pre e provokimeve të policisë.
“Ne nuk kemi asgjë me policinë! Të tregojmë që jemi këtu të qytetëruar”, tha ai.
Aktori Neritan Liçaj u shpreh se me shembjen e Teatrit Kombëtar iku një pjesë e rëndësishme e tij. Ai u bëri thirrje qytetarëve që të bashkohen në protestë kundër qeverisë Rama për ta rrëzuar. "Në atë skenë krimi ka mbetur zëri im dhe një pjesë e imja që u kalcifikua atje. Ka mbetur pjesa ime më e mirë dhe më e fortë. Dy kufoma politike Rama dhe Veliaj. Ato dy kufoma politike. Më vjen keq vetëm për një gjë që ato dy kufoma….pjesa ime mbetet e lirë se ka fituar mbi ata. Fjala është e para dhe do të mbetet. Thërras në kauzë të gjithë shqiptarët, gjithcka që ka mbetur e lirë, gjithcka që ka mbetur shqiptare, që të fluturojmë lart", tha Liçaj.
Aktori Mehdi Malkaj e cilësoi vrasje fizike, por jo shpirtërore shembjen e godinës. “Na vranë fizikisht, por jo shpirtërisht. Teatri është në shpirt, është dashuri. Më kënaqi fakti që ka kaq shumë njerëz. Nuk jam këtu si anëtar i asnjë partie, por si njeri që e dua teatrin”, tha ai.
Fatos Lubonja kërkoi hetim për Teatrin Kombëtar dhe dorëheqjen e kryebashkiakut Erion Veliaj. "Me shembjen e Teatrit u shemb dicka brenda nesh. Ishte edhe një goditje ndaj të ardhmes sonë. Këtu ka shumë intuziazëm. Këtu kemi një bandë kriminale dhe duhet të mendojmë si duhet të clirohemi. Duhet një protestë dhe një kërkesë të vazhdueshme për nxjerrjen para gjyqit të të gjithë autorëve të këtij krimi. Duhet të kërkojmë dorëheqjen e Erion Velisë të parit dhe duhet ta kërkojmë sot, nesër dhe vazhdimisht, deri kur të ikë dhe të jetë i gatshëm për prokurorinë për shkeljet që ka bërë. Duhet të protestojmë përpara prokurorisë, që para dokumenteve të qarta të krimit, duhet të japin llogari", tha Lubonja.
Aktorja Juli Emiri, e cila ka qenë në tarracën e teatrit bashkë me kolegun e saj Neritan Licaj, u shpreh se policia kishte mësyrë ndërkohë që në godinën e Teatrit kishte akoma njerëz. "Për ata policë që s'janë policë por janë bandë, ndryshojnë numrat dhe fytyrat. Pa e kontrolluar godinën kanë sjellë fadromat. Kam qenë në tarracë kur erdhën 30 forca speciale. Tetari ishte në errësirë, i thashë që ka akoma njerëz brenda, por efektivi i policisë mu përgjigj 'aty le të rrinë'. Kanë tentuar të na vrasin", tha aktorja Emiri.
Fjalën e ka marrë edhe Mirela Karabina, ish-ministre teknike për arsmin nga PD-ja, e cila u shpreh se Edi Rama ka urdhëruar shembjen kurse Erion Veliaj ka ekzekutuar. "Dje është shpallur diktatura, nëse do ata lejojmë do të heshtim. Në një natë të errët ky pushet ky diktaturë, dukej sikur kishte terroristë, një spektakël. Jemi prej kaq kohësh që ruhemi, ndërtesën e dinin mirë. Për pak do të kishim mbetur nën rrënoja se askush nuk pyeti për ne. Kërkojnë të mbrojnë kulturën, se po vidhet Jemi të gjithë të rrezikuar nuk e dimë kur bëjmë faj e kur nuk bëjmë. Merr vendime vetëm në dëm të qytetarëve. Edi Rama urdhëri, Erion Veliaj ekzekutoi. Këshilli bashkiak janë turpi i qytetit, turpi i Shqipërisë. Ai dhe Edi Rama futi shqiptarët për të shembur tetarin kombëtar, se nuk e shembin dot ndryshe se janë frikacakë. Ata kanë fundin e tyre politik, fundin e tyre të shëmtuar politik. Erion Velaj duhet të japë dorëheqjen. Të bashkohemi për të luftuar këtë bandë terroristësh. Ne e duam Europën, por kjo e mbylli, kurrë nuk do të hyjmë në Europë", tha Karabina.
Pedagogu Ervin Goci tha se "të gjithë bashkë kemi në dorë ta çojmë vendin përpara dhe të bëjmë ndryshimin e madh". "Protesta mund të vazhdojë, por çfarë mund të bëjmë pas kësaj? Liderët politikë të shikojnë hallet e shqiptarëve dhe të mos ulen në tavolinë me mafien. Ne e kemi mbajtur për 27 muaj këtë. Këtej janë disa centrale bërthamore energjie. Ne kemi kauzën kemi sheshin kemi edhe partë politike opozitare, ju kemi juve qytetarë të thjeshtë. Ne duhet të jemi bashkë na takon neve ta çojmë përpara dhe të bëjmë ndryshimin e madh. Ata janë disa kufoma politike por do t'i vrasim me qytetari dhe me kulturë", është shprehur Goci.
Regjisori Edmond Budina bëri thirrje për mosbindje civile në çdo qytet. "E neveritshme kjo gjë ndodhi, ka diçka që mbase pak njerëz e dinë, me 17 të 1945 u themelua Teatri Profesionist, dhe më 17 maj mafia në bashkëpunim me pushtetin e shembën. E kuptoni se si funksionojnë edhe me simbolikat, për të na ulur kokën?! Do rrimë edhe 200 vjet për të mbrojtur pronën publike. Një nga personalitet më të mëdha të arkitekturës italiane më tha që shembja është i bërë nga një grup mafiozësh, por ata nuk mund ta shembin kulturën.... Çdo politikan në çdo lloj krah është i mirëpritur, jo përçarje, jo dhunë. Ne kemi nevojë për zhvillim, duhet të bëjmë një mosbindje civile kudo, të gjithë bashkë. Në Elbasan i bllokuan qytetarët të vijnë, në çdo qytet të protestojnë, nuk na ndalojnë ne që t'i përgjigjemi për të mirën e vendit, është histori shpirti dhe jo përfitim0. Presidenti të kërkojë shpërndarjen e parlamentit. Të largohet menjëherë kryetari i Bashkisë, ai kriminel sepse krimi kundrejt kulturës është një nga krimet më të mëdha të njerëzimit. Ata duhet të ikin dhe ne me ndihmën e Europës do ta rindërtojmë teatrin siç ishte sepse është simbol i qëndresës qytetare, i pastërtisë njerëzore se asnjëherë se kemi mbrojtur se do merrnin disa tulla apo se do përfitonim, por sepse e donim. S'do i ndalojmë protestat", tha Edmond Budina.
Rreth 1 mijë forca policie, përfshirë këtu FNSH dhe RENEA-n u vendosën pranë institucioneve në këtë zonë, ndërkohë që një pjesë e forcave të policisë ishin të pajisur me maska kundërgaz, çfarë sugjeronte se uniformat blu nuk përjashtonin mundësinë e përplasjeve në këtë protestë.
Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit kundërshtoi shembjen e godinës ekzistuese dhe në krah të tyre u vendos edhe Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim. Lulzim Basha e cilësoi këtë akt si aktin e shpalljes së luftës dhe ka premtuar se nesër në pushtet do të rindërtojë godinën e teatrit ashtu siç ishte.
Ndërkohë, në Këshillin Bashkiak, Erion Veliaj prezantoi më herët gjatë ditës projektin për godinën e re. Ai tha se godina e re do të ketë kapacitete 6 herë më të mëdha se godina që ekzistonte, ndërsa deklaroi se për ndërtimin e saj, Bashkia do të aplikojë për kredi në institucionet financiare ndërkombëtare, ku Qeveria do të dalë garante.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.