Në dytën e tretë të zbritjes në terren, njësia speciale “Operacioni Forca e Ligjit” në një deklaratë për mediat njoftoi se ka dorëzuar kërkesat për justikifim pasurie tre personave të tjerë të përfshirë në botën e krimit.
Sot OFL u ka dorëzuar kërkesën për të provuar burimin e ligjshëm të pasurive Dashamir Gjokës, Emiljano Hysenajt si dhe kushëririt të tij, Edlir Hysenajt, të tre banues në Durrës.
Dashamir Gjoka rezulton i dënuar në Itali për veprën penale “Trafik i qenieve njerëzore”. Emiljano Hysenaj është i dënuar në Gjermani për trafikim narkotikësh dhe pastrim parash.
Ndërsa, Edlir Hysenaj, kushëriri i Emiljanos dyshohet se gëzon pasuri të prejardhura nga krimi.
Sipas OFL, këta individë duhet t’u përgjigjen me shkrim të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, i cili do të vlerësojë dosjen e përgatitur nga OFL-ja mbi aktivitetin kriminal të këtyre subjekteve, si edhe pasurinë e tyre.
Zëdhënësja tha se “sapo të bëjë këtë vlerësim, SPAK-u duhet t’i kërkojë Gjykatës Speciale masën e sekuestrimit për pasuritë e subjekteve dhe pas sekuestrimit, në jo më shumë se 6 muaj Gjykata Speciale duhet të vendosë për konfiskimin përfundimtar të tyre”.
“Me marrjen e masës së sekuestros, çdo pronë e subjekteve do të administrohet nga agjencia e posaçme e Ministrisë së Brendshme. Vetëm banesa mund të vazhdojë të përdoret për strehim, por nuk mund të shitet apo të jepet me qira nga subjekti”, tha ndër të tjera zëdhënësja.
OFL tha se të gjitha subjektet e Ligjit Special, pra të gjithë të dënuarit apo të akuzuarit gjatë 30 viteve të fundit, për krimet e parashikuara në këtë ligj, do të kalojnë sitën e provës së ligjshmërisë së pasurisë së tyre.
“Asnjë përjashtim nuk do të ketë dhe nuk mund të ketë dhe çdo përpjekje për të tjetërsuar ndërkohë pronën, duke përdorur familjarë apo të njohur, do të rëndojë të dyja palët”, tha ajo.
Ndërkohë, dje OFL njoftoi se ka dorëzuar kërkesat për të provuar burimin e ligjshëm të pasurive te Lulzim Berisha në Durrës dhe tek Ardian Çapja në Elbasan.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.