Nga Gazeta ‘Si’ – Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës – njoftoi të premten se do të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë.
Në një reagim në Facebook, Lista Serbe tha se ndër arsyet e vendimit të saj për të marrë pjesë në zgjedhje ishte edhe një incident që ndodhi të enjten, kur deputetët e saj u penguan të hynin në sallën e Kuvendit të Kosovës.
Deputetët e Listës Serbe paraqiten në Kuvendin e Kosovës një herë në gjashtë muaj sa për të ruajtur mandatin dhe për të siguruar vazhdimin e marrjes së pagave.
Të enjten, ata s’u lejuan të hynin në Kuvend nga deputetë të partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, si dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili i akuzoi ata për keqpërdorim të parasë publike.
Duke iu referuar këtij incidenti, Lista Serbe tha: “Për këtë arsye shfrytëzojmë rastin të informojmë publikun se Lista Serbe, më e fortë se kurrë, do të marrë pjesë në zgjedhje”.
“Ne do t’i fitojmë që të gjitha dhjetë mandatet e destinuara për popullin serb dhe do ta ruajmë unitetin dhe harmoninë e popullit serb në këtë zonë. Populli serb do të tregojë në zgjedhje për kë beson dhe kë dëshiron si përfaqësues të tij”, tha ajo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.