Dosje

Liruan nga qelia 3 anëtarë të mafies shqiptare të grupit të Dritan Gjikës, arrestohen dy zyrtarë të drejtësisë në Ekuador

Gazeta Si - Agjentët nga Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Shtetit në Ekuador (FGE) dhe policia bastisën ambientet e një njësie gjyqësore në kantonin e Valencias, në provincën e Los Ríos, duke arrestuar dy zyrtarë të drejtësisë, pasi dyshohen se favorizuan anëtarë të mafies shqiptare në organizatën kriminale të Dritan Gjikës, i shpallur në kërkim për trafik droge nga Amerika Latine në Europë.

Sipas Prokurorisë, një gjyqtar, i shpallur në kërkim, një sekretar dhe një avokat, dyshohet se kanë bashkëpunuar për të liruar tre anëtarë të mafies shqiptare dhe tani akuzohen për korrupsion.

“Ata kanë dhënë – në mënyrë të parregullt – masa sigurie në favor të tre të pandehurve që dyshohet se janë pjesë e mafies shqiptare. Këta shtetas, të cilët ndodheshin në paraburgim për krim të organizuar dhe pastrim parash, dyshohet se ishin pjesë e një rrjeti kriminal të drejtuar nga Dritan G”, njoftoi prokuroria.

Në rrjetet sociale, FGE ka publikuar pamje nga ndërhyrjet në zyrat e drejtësisë. Policia arrestoi një avokat dhe sekretarin e tij, por në kërkim është shpallur edhe një gjykatës, ndaj të cilit është lëshuar një urdhër-arresti, i dyshuar si bashkëpunëtor.

Sipas Prokurorisë, ky i fundit – i identifikuar si Lenin G. – ka urdhëruar lirimin e tre anëtarëve të mafies shqiptare.

Ata vuanin paraburgimin për krim të organizuar dhe pastrim parash. “Ata dyshohet se ishin pjesë e një rrjeti kriminal të drejtuar nga shqiptari Dritan Gijka”, shtoi prokuroria. Kjo çështje, është quajtur “Albajuez” dhe vjen nga rasti “Pampa”.

Në këtë hetim, FGE pohon se janë kryer dy vepra penale: krimi i organizuar dhe pastrim i parave.

Mediat ekuadoriane, raportojnë se krerët e strukturës kriminale janë Dritan Gijka, si dhe një argjentinas dhe një ekuadorian.

Hipoteza e autoriteteve është se ky rrjet do të kishte krijuar disa kompani  dhe ka përdorur të tjera të krijuara për të fshehur origjinën e paligjshme të parave dhe për të bashkuar ato asete të paligjshme, me origjinë nga trafiku i drogës, nëpërmjet kompanive të dedikuara për eksportin e produkteve bujqësore (si p.sh. banane), blerja dhe shitja e pronave të paluajtshme, mishi dhe prodhimi i kanabisit.

Lëvizje të pajustifikuara në vlerën 31 milionë dollarë janë zbuluar në sistemin financiar kombëtar midis viteve 2015 dhe 2024, me të cilat anëtarët e strukturës kriminale kishin përfituar automjete të nivelit të lartë, toka, shtëpi, zyra, magazina, parkingje, ndër të tjera, në Guayas, Los Ríos, Cotopaxi dhe Santa Elena.

Deri tani, janë 21 persona në gjyq për veprën penale të pastrimit të parave dhe 22 për krim të organizuar.

Dritan Gjika, 48 vjeç, me origjinë nga Shkodra, akuzohet për drejtimin e  një rrjeti kriminal që trafikonte drogë midis Ekuadorit dhe Evropës.

Ai u shpall në kërkim pas një megaoperacioni të zhvilluar në Ekuador dhe Spanjë kryesisht, si dhe në 57 vende të tjera, për të goditur një grup kriminal shqiptar të trafikut ndërkombëtar të kokainës dhe pastrimin e parave.

Gjika, i cili u vendos në Ekuador në vitin 2009, ishte në mesin e 18 anëtarëve të kartelit që u arrestuan në vendin e Amerikës së Jugut dhe cilësohet si kreu i saj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë