Ngjarje

Lironi Xhisielën! Protestës i mbetet vetëm politika 

Suadela Balliu - “Një zonjë tha: “Kjo protestë po bëhet shumë politike. Kam ardhur të protestoj kundër dhunës që iu ushtrua asaj vajzë”. Epo zonjë, ke ardhur në protestën e gabuar!” Me këto fjalë, Besjan Pesha, iu drejtua turmës që ishte mbledhur përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” për të protestuar kundër dhunës së ushtruar ndaj Xhisiela Malokut nga djali i deputetit të Partisë Socialiste, Rrahman Rraja.

Protesta mesa duket nuk mundi, as kësaj here,  të mos ishte politike. Më shumë sesa dhuna ndaj një vajze – një prej të shumtave që keqtrajtohen, dhunohen, përdhunohen e vriten thuajse çdo ditë në këtë vend –protesta kishte në thelb shtetin e kapur nga krimi e korrupsioni, ndërsa në kor, pas mesazheve që kalonin në megafon, dëgjoheshin britmat e një mase të përzier grash e burrash “Rama ik!”.Ajo që të binte në sy ishte pjesëmarrja e një numri të konsiderueshëm djemsh e burrash (të pasigurt ndoshta nëse kishin ardhur të dënonin,  si pjesë e shoqërisë,  dhunën ndaj gruas apo të protestonin kundër politikës, saktësisht qeverisjes).“E si të mos jetë politike kjo protestë?!” , do të përsëriste Pesha.

Mundohem të kaloj nëpër mend nëse shoqëria civile ka organizuar të tjera protesta ku kritikon sistemin e drejtësisë që ka dështuar të ndëshkojë kryerësit e dhunës ndaj grave – ku  vetëm  vitin e fundit humbën jetën tragjikisht 8 gra, vrarë kryesisht nga bashkëshortë a ish bashkëshortët e tyre, ndërsa në polici janë regjistruar 4 mijë denoncime, sipas të dhënave zyrtare –dhe ...s’më vjen asnjë. Nga një kërkim në internet rezulton një e muajit qershor e një grupimi studentësh dhe anëtarësh të shoqërisë civile pa svrasjes së 19-vjeçares Xhuljeta Çuni në fillim të po atij muaji nga shtetasi Xhafer Mata, i cili më pas qëlloi edhe veten.

Sigurisht që çështja e Xhisiela Malokut është më komplekse dhe politika nuk mund të përjashtohet kur autori i dhunës apo përdhunimit, siç ka dëshmuar fillimisht e reja nga Nikla, është djali i një deputeti të maxhorancës, por po aq politike do të ishin nëse shoqëria civile do të protestonte kundër dhunës ndaj grave, që përpara se të jenë nëna, motra, bija, bashkëshorte e shoqe, janë qytetare me po aq të drejta sa edhe pjesa tjetër e shoqërisë. “Lironi Xhisielën!” ishte lajtmotivi i organizatorëve të protestës, të sigurt se vajza është marrë peng nga media, prokuroria, ministria e brendshme e deri te kryeministri.

“Sepse kjo është një protestë politike. Kush nga ju e njihte më parë deputetin Rrahman Rraja? Po si mund të mos jetë jo një protestë politike ,kur një deputet, përfaqësues i popullit në parlament të paguhet jo pak me taksat tone, ka privilegje me taksat tona, bëhet i njohur vetëm kur djali i tij përdhunon një vajzë në fshat?!” –është shprehur Pesha. Ata që ishin nisur për një protestë të shoqërisë civile, shumë shpejt do të haseshin me aktorët politikë. Zëdhënësja e Partisë Demokratike Ina Zhupa tha se përdhunimi, ndjekja, dhuna janë më shumë sesa politike. “Janë të veshur me pushtetin që u ka dhënë Rama.” - është shprehur Zhupa ndërsa ka shtuar se kuraja e nënkomisarit Emiljano Nuhu na bëri të reagojmë. (Më shumë se njëherë u kërkuan duartrokitje për oficerin e policisë.)

Zhupa i bëri thirrje ambasadorit të BE-së në Tiranë Luigi Soreca, të marrë në mbrojtje Xhisielën, që sipas saj është torturuar për të ndryshuar dëshminë. “Ambasadorit të BE-së i bëj thirrje të sigurojë  në një nga vendet anëtare,  mbrojtje dhe siguri fizike, morale e psikologjike për Xhisielën, nënën dhe motrën e saj. Nesër do e bëj kërkesë zyrtare. Mos besoni asgjë të falsifikuar. Dëshminë e ka dhënë kur ekspertiza mjekoligjore vërteton dhunë, çdo gjë tjetër është manipulim, frikë, sepse frika ka bluar vendin.”, ka thënë Zhupa, ndërsa ka shpërndarë tek të pranishmit tullumbace të zeza si simbol i krimit që ka pushtuar vendin.

Por vetëm disa orë më vonë, në të njëjtën ditë kur qindra njerëz u mblodhën për të protestuar kundër dhunës së ushtruar ndaj 25-vjeçares nga një njeri i veshur me pushtet, vetë Xhisiela Maloku, do të dilte me portretin e saj në një intervistë me gazetarin Blendi Fevziu, duke thënë se gjithë kjo çështje që trazoi shoqërinë shqiptare dhe ndezi akuzat mes palëve politike, ishte  veçse xhelozi e së resë ndaj ish-të dashurit, që siç ka thënë ajo, nuk mundet ta shohë me dikë tjetër. “Nuk jam tallur me policinë”, ka thënë e reja, por shumë prej deklaratave ia ka veshur nënkomisarit Nuhu dhe jo të thëna prej saj. Maloku ka shkuar deri aty duke thënë se dëmtimet e verifikuara edhe nga ekspertiza mjekoligjore kanë qenë plagë, hematoma, të marra nga një aksident i para një viti. Edhe për protestën ku qindra njerëz e ngritën si simbol emrin e saj për të protestuar kundër dhunës, Xhisiela do të thoshte vetëm “Nuk dua të më përdorin politikisht”.

Xhisiela Maloku

Disa orë më parë, një qytetar nga turma, i ardhur për të protestuar përpara godinës së kryeministrisë, thërret se Xhisielën e ka përdhunuar i gjithë sistemi. Disa orë më vonë, në intervistën me Fevziun, Maloku mohon të jetë përdhunuar, ndërsa thotë se as ka kërkuar mbrojtje ligjore (kush e di nëse do ta pranonte kërkesën që PD do të depozitojë më 2 tetor tek ambasadori i BE për ta mbrojtur, duke e dërguar në një shtet europian). A është nën kërcënim Xhisiela, kur thotë se ‘i tillë’ ishte raporti i saj dhe i ish të dashurit Rexhep Rraja?  Në një tjetër ekran, në Top Channel, përballë gazetares Eni Vasili, Xhisiela kërkon që të dalë se,  ato çka ka deklaruar nënkomisari Nuhu nuk janë aspak të vërteta. Xhisiela ka thënë se sa herë ikte në pushime Rraja, ajo denonconte dhe e tërhiqte saherë ai kthehej nga pushimet. “Sepse kështu ishte marrëdhënia jonë.”

Protestuesja Alice Taylor

Xhisiela ka thënë se pas arrestimit të Rrajës ka kaluar në gjendje të rënduar psikologjike, sepse  “ai është i pafajshëm. Ka vetëm fajin që ka ikur me pushime. Më vjen keq që është arrestua për shkak të xhelozive të mia”. Nuk do të kthehem më me Rexhepin thotë dhe thotë se i ka ikur edhe xhelozia. “Dua të iki nga Shqipëria”, thotë, për shkak të turpit se është etiketuar si e përdhunuar. Pranon se është goditur vetëm me një shuplakë nga Rraja. A është dhunë? E pyet gazetarja Vasili? “Po, por edhe unë mund ta kem goditur ndonjëherë.” – përfundon ajo, duke këmbëngulur tek xhelozia si motiv që u ngrit në debat të flaktë politik.

A do të përballet ajo me akuzat për dëshmi të rremë në polici? Cili rrëfim i Xhisielës është i vërteti? Ajo thotë: “E vërteta jam unë dhe e di vetëm unë çfarë ka ndodhur.”Janë me mijëra gratë që kërkojnë mbrojtje nga shteti për veten dhe fëmijët por vetë një në dhjetë e denoncon atë, ka edhe shumë raste që e tërheq.“Nuk jemi vetëm për t’ju gatuar darkën apo t’ju sigurojmë argëtim ,të buzëqeshim dhe të dukemi të bukura. Nuk jemi këtu të kontrollohemi dhe të dhunohemi. Jemi gra dhe meritojmë të trajtohemi njëlloj.” – thotë me zë të lartë, Alicia Taylor, një qytetare angleze që i është bashkuar protestës dhe ngulmon se kjo e fundit nuk është politike, por e organizuar nga shoqëria civile. “Çfarë do të bënit po të ishte vajza juaj?”, përfundon qytetarja angleze duke kërkuar respektimin e të drejtave të njeriut.

‘Kjo nuk është protestë kundër dhunës, kjo është protestë politike; jo partiake, por politike.”, thotë një tjetër protestuese, Mirela Jorgo, ndërsa nuk beson se shteti i kalbëzuar mundet të të mbrojë ndaj dhunës. “Ky është një debat midis atyre që përdhunojnë dhe atyre që përdhunohen, atyre që qeverisin dhe atyre që votojnë”, mendon Endri Shabani.Në protestë u dëgjuan edhe thirrje qëndrese për ditë të tëra në shesh, shoqëruar nga kore që ndizen me thirrjen gati “Rama ik!”Një qytetar nga Puka i bën thirrje zëvendëskryeministres, Senida Mesi, të mos e pranojë në zyrë kryeministrin Rama.

Ndërkohë që Xhisiela tërhiqet, me një variant krejt të ri të asaj çka ka ndodhur atë mbrëmje korriku në hotelin,  ku në rrëfimin e parë shtetasi Rexhep Rraja e ka keqtrajtuar dhe kërcënuar me pistoletë – duke e kërcënuar se do e plagosë që të vuajë – mbetet vetëm politika në protestë, ku një grua e cila ka ardhur të protestojë kundër dhunës ushtruar një vajze,  ka shkuar  në protestën e gabuar...


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë