Drejtësia

Lirohet nga qelia 2 muaj pas arrestimit Armando Sulejmani, anëtari i bandës së Gaxhait

Gazeta Si- Dy muaj pas arrestimit në Durrës, lirohet nga qelia Armando Sulejmani, i cili u kap në një makinë me targa të vjedhura, duke refuzuar edhe urdhrin e punonjësve të policisë për të ndaluar.

Gjykata e Durrësit caktoi ndaj tij masën e sigurisë “detyrim për t’u paraqitur”, pasi ish-anëtari i bandës së Gaxhait në Vlorë do të vijojë të jetë nën hetim

“Caktimin si masë sigurimi për personin nën hetim Armando Sulejmani atë të ‘detyrimit për t’u paraqitur në policinë gjyqësore’ çdo dt.7-17 të muajit, ora 11.00, parashikuar nga neni 234 Kodit Pr.Penale. Urdhërohet lirimi i personit nën hetim, nëse ndaj tij nuk ka ndonjë masë tjetër sigurimi ose vendim të formës së prerë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Durrësit.

48-vjeçari ka qenë duke udhëtuar me mjet tip “Mercedes Benz” në Spitallë dhe kur poliia i ka bërë shenjë të ndalojë, ai nuk i është bindur urdhrit duke tentuar të largohet me shpejtësi.

Targat e mjetit “Mercedes Benz”, që drejtonte 48-vjeçari, i përkisnin një automjeti tip “Land Rover”, të vjedhur në datën 03 nëntor 2023 në Tiranë.

Gjatë kontrollit në bagazhin e automjetit tip “Mercedes Benz”, janë gjetur targat origjinale të këtij automjeti.

Sulejmani, banues në Vlorë dhe i dënuar më parë për vrasje, u arrestua  menjëherë nga policia, ndërsa u shpall në kërkim 26-vjeçari me iniciale L. Z., banues në Tiranë, pronar i automjetit që drejtonte 48-vjeçari, i dyshuar si bashkëpunëtor në vjedhjen e automjetit tip “Land Rover”.

Automjeti tip “Mercedes Benz”, targat e tij dhe targat e vjedhura u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me një kaçavidë dhe 3 celularë.

Armando Sulejmani, i njohur ndryshe edhe si “Çipuri”, është personazh i njohur si për policinë, i dyshuar e akuzuar në disa ngjarje kriminale.

Ai i ka shpëtuar të paktën 2 atentateve deri më tani. Në vitin 2016, ai i shpëtoi një atentati pranë shtëpisë së tij në lagjen “Pavarësia” të Vlorës, ku mbeti i plagosur.

Në atë kohë, Sulejmani kishte vetëm pak kohë që kishte dalë nga burgu, pasi kishte përfunduar dënimin për një vrasje.

Në vitin 2019, Sulejmani i shpëtoi një atentati në Vlorë, ku nga të shtënat mbetën të vrarë Arjan Hasani dhe Orest Rexho.

“Çipuri”, i cili dyshohej se ishte dhe objektivi i këtij atentati, edhe këtë herë shpëtoi dhe mbeti i plagosur.

Për këtë ngjarje 48-vjeçari u arrestua për armëmbajtje pa leje, pasi u zbulua se kishte me vete armë zjarri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë