Ka ndodhur

Lirohet i shumëkërkuari nga Europol, u ndalua në një lokal në Shkodër

Gazeta Si - Mungesa e një marrëveshjeje ekstradimi me Luksemburgun, ka detyruar autoritetet policore shqiptare të lirojnë një person me precedentë penalë, i cili u shoqërua përohësisht në komisariatin e Shkodrës mbrëmjen e të shtunës.

Edinjo Pulti u ndalua në një lokal në Shkodër gjatë një superaksioni për llogari të drejtësisë së Luksemburgut, por është lënë i lirë për shkak se nuk ka ende një marrëveshje ekstradimi.

Policia prej kohësh ishte vënë në gjurmë të tij, pasi 36-vjeçari ishte shpallur në kërkim nga Europol për tentativë vrasje dhe trafik armësh e municionesh.

Më 2 gusht 2020, rreth orës 20:55, ai u përfshi në një përleshje në Pétange. Disa persona, duke përfshirë një të armatosur me thikë, u përleshën në qendër të qytetit. Sipas Europol, Pulti ka goditur disa herë me thikë dy persona gjatë përleshjes me ta.

Një nga dy të plagosurit është goditur në bark dhe mbeti i plagosur rëndë. Një urdhër-arresti evropian dhe ndërkombëtar ishte lëshuar për të në janar 2021.

Edinjo Pulti nga Shkodra është emër i njohur edhe për drejtësinë shqiptare për një plagosje shumë vite më parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë