Drejtësia

Lirohen dajë e nip, u arrestuan si të dyshuar për vrasjen e Hekuran Billës

Shfryhet vrasja e Hekuran Billës, ngjarje e ndodhur në 11 qershor 2020 në zonën e “Komunës së Parisit” në Tiranë. Gjykata Penale e Tiranës ka vendosur të ndryshojë masën e sigurisë, nga “arrest me burg”, në “arrest shtëpie” për Viktor Markun dhe Sebastian Malin. Dajë dhe nip, janë personat e arrestuar dhe të akuzuar për vrasjen e Billës, për arsye hakmarrjeje.

Nga na tjetër, mësohet se prokuroria ka kërkuar pushimin e çështjes, pasi sipas akuzës nuk ka prova që vërtetojnë krimin. Kjo kërkesë mësohet se nuk është shqyrtuar ende nga gjykata.

Në këtë mënyrë, duke qenë se ka mbaruar edhe afati i paraburgimit të dhënë më parë dhe në pamundësi nga prokuroria për të çuar prova të reja për zgjatjen e tij, gjykata është detyruar që të lirojë Markun dhe Malin nga qelia duke i lënë në “arrest shtëpie”.

Ashtu si dy të rinjtë, në qershor të këtij viti doli nga qelia edhe Adiola Lakra, e dashura e Billës, e cila dyshohet se e nxori në pritë në zonën e “Komunës së Parisit”. Me vendimin e fundit, kjo dojse hetimore do të pezullohej për shkak të mungesës së autorit të krimit.

Viktima, Hekuran Billa, kishte vetëm pak kohë që ishte liruar me kusht nga burgu i Fushë-Krujës, pas një vendimi të dhënë nga gjyqtarja Enkelejda Hoxha, tashmë e arrestuar për korrupsion nga SPAK.

Vrasja e tij ndodhi përmes një skenari mafioz, ku Billa është qëlluar me breshëri nga një distancë shumë e afërt, ku mbeti i vdekur në vend në makinën e tij fuoristradë “Benz”.

Sipas organit të akuzës, ai u ekzekutua për shkak të hakmarrjes, pasi Billa në vitin 2006 në Britani, ka vrarë vëllain e Viktor Markut, Prel Markun.

Billa e qëlloi Prel Markun, 22 vjeç, në kokë në një klub nate në “Park Royal” të Londrës më 14 tetor 2006. Ai u shpall fajtor për tre akuza dhe u dënua me burgim të përjetshëm, me një mandat minimal të rekomanduar për 34 vjet.

Ky vendim u njoh nga gjykatat Shqiptare, të cilat vendosën ta dënojnë Billën të deportuar në Shqipëri me 25 vite burgim.

Një pjesë të dënimit, Billa e vuajti në burgun e Fushë-Krujës, ku më pas mundi të përfitojë lirinë me kusht pas një vendimi të firmosur nga gjyqtarja Enkelejda Hoxha. Pas daljes nga burgu, 40-vjeçari lëvizte lirshëm, çka solli dhe nisjen e planeve të kundërshtarëve të tij për ta ekzekutuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë