Lajme

Lirimi i të fortëve nga burgu, KLGJ: Procedimi i gjyqtarëve kompetencë e ILD

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka reaguar ndaj vendimeve të Gjykatave për lirimin e të fortëve nga burgu, edhe pse janë dënuar me burgim të përjetshëm, siç ishte rasti i Endrit Dokles, që u lirua nga gjyqtarja Enkeleida Hoxha, apo dhe të tjerë dënuar si Lulzim Caka, Viktor Ymeri dhe ku po përflitet edhe lirimi i Arben Grorit.

KLGJ me anë të një deklarate për median ka sqaruar se si mund të ndiqet masa disiplinore ndaj gjyqtarëve. “Në lidhje me këtë të fundit, neni 147/d i Kushtetutës parashikon se Inspektori i Lartë i Drejtësisë është përgjegjës për verifikimin e ankesave, hetimin me nismë të shkeljeve dhe fillimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarëve.

Pra, nuk është Këshilli i Lartë Gjyqësor, por Inspektori i Lartë të Drejtësisë, organi kushtetues i cili fillon procesin e kryerjes së verifikimit të shkeljeve disiplinore dhe të procedimit disiplinor ndaj gjyqtarëve. Kompetencat dhe përgjegjësitë respektive të KLGJ dhe të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë rregullohen më hollësisht edhe në Ligjin nr.115/2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë””, thuhet në deklaratë.

Referuar dispozitave kushtetuese dhe atyre për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë, Këshilli i Lartë Gjyqësor rithekson se nuk mund të ushtrojë kompetencat e verifikimit të ankesave ndaj veprimtarisë së gjyqtarëve, pasi këto i përkasin Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

“Për rrjedhojë, të gjitha kërkesat e depozituara pranë KLGJ nga individë dhe institucione shtetërore në të cilat ngrihen pretendime lidhur me shkelje disiplinore të gjyqtarëve, janë administruar rregullisht dhe do t’i përcillen Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, menjëherë me krijimin e këtij institucioni”, thuhet në këtë deklaratë.

Vendimi për lirimin me kusht të Endrit Dokles pati reagime të forta. Disa më parë edhe ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj në një deklaratë për median u shpreh sot se ka kërkuar nga institucionet e Drejtësisë pezullimin dhe marrjen e masave për shkarkimin nga detyra të gjyqtares së Krujës, Enkelejda Hoxha e cila 3 ditë më parë vendosi lirimin me kusht të dënuarit me burgim të përjetshëm Endrit Dokle, i konsideruar si një ndër eksponentët më të rrezikshëm të krimit. Ministrja tha gjithashtu se i ka kërkuar Prokurorisë të nisë menjëherë hetimet ndaj saj.

Gjonaj, tha se “shqetësimin për këtë çështje, e kam shprehur dhe adresuar institucionalisht që në fazën e gjykimit të saj, bazuar në informacionin që dispononim nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe Shërbimi i provës, duke patur indicie apo dyshim mbi objektivitetin dhe paanësinë e këtij gjykimi, duke kërkuar veç të tjerash verifikim të menjëhershëm nga institucionet përgjegjëse”.

Por me këtë deklaratë të KLGJ-së, tashmë edhe ankesa e Gjonajt për t’u marrë në konsideratë duhet të administrohet nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë. Vetëm një ditë më parë Parlamenti miratoi Artur Metanin si Inspektor i Lartë të Drejtësisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë