Argjentinasi është një nga lojtarët më të mëdhenj në historinë e futbollit, por gjithashtu është i njohur edhe për aktet e bamirësisë dhe afërsinë me ata që vuajnë, veçanërisht fëmijët. Nëpërmjet fondacionit që mban emrin e tij, kampioni argjentinas ka mbledhur mbi 30 milion euro dhe do të jetë përgjegjësi kryesor për ndërtimin e qendrës më të madhe të trajtimit të kancerit në moshat pediatrike.
Struktura e re, e quajtur SJD Pediatric Cancer, do të ndërtohet në spitalin Sant Joan de Déu të Barcelonës dhe do të jetë një qendër model, e specializuar në kërkime shkencore lidhur me sëmundjen e kancerit, por që padyshim që do të merret edhe me trajtimin pacientëve të vegjël.
Messi, përveç dhurimit personal dhe mbledhjes së fondeve përmes fondacionit, "vendosi fytyrën e tij" për të promovuar fushatën reklamuese të projektit. Kostoja për të ndërtuar qendrën e re është padyshim shumë e lartë dhe të gjithë, jo vetëm bizneset dhe institucionet por edhe qytetarët kanë dhuruar donacione. Për këtë arsye, ka një fushatë për mbledhjen e fondeve me hashtagun #paralosvalientes (për trimat), ku shuma e grumbulluar kaloi shifrën prej një milion euro.
Projekti synon gjithashtu të ndërgjegjësojë shoqërinë rreth sëmundjes së kancerit, një e keqe e përhapur që fatkeqësisht prek edhe moshat e reja, të detyruar çdo ditë të luftojnë si luftëtarë të vërtetë me shpresën për tu kuruar. Gjesti i fundit i fëmijëve që vënë dy gishtërinj nën sy simbolizon luftën kundër kancerit, me shpresën se kjo qendër e re do të jetë në gjendje ta mposhtë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.