Ngjarje

Linja Tiranë-Durrës me urbanë të vjetër rrit biletat në kundërshtim me ligjin. Shoqata: Qytetarët të ankohen, do u heqim licencat

Nga Gazeta Si- Prej 1 janarit 2025, pronarët e urbanëve të linjës Tiranë-Durrës e anasjelltas, kanë rritur çmimin pa vendim qeverie, duke bërë një marrëveshje të heshtur me njëri-tjetrin për tu marrë qytetarëve 200 lekë për itinerar, nga 180 që ishte aplikuar deri në vitin 2024.

Arsyeja e rritjes së biletës është e pashpjegueshme prej tyre kur pyeten, por ajo çka vihet re është mungesa ndër vite e investimeve nga operatorët e kësaj linje në urbanë të rinj, komod.

Të pyetur nga Gazetasi.al, drejtuesit e shoqatës së transportit urban thonë se dakordësia e operatorëve për të thyer ligjin, do t’u kushtojë atyre licencën. Por, nga ana tjetër, ata u bëjnë thirrje qytetarëve të denoncojnë rritjen e çmimit të biletës.

“Biletat e transportit ndërqytetas rriten me vendim të qeverisë. Nga ana jonë u kemi tërhequr vëmendjen operatorëve të linjës Tiranë-Durrës, të investojnë në shërbimin ndaj qytetarit duke ofruar kushte komode dhe të mos mendojnë vetëm fitimin”, thotë përfaqësuesi i shoqatës së transportit ndërqytetas, Shpëtim Vrioni.

Urbanë të vjetër, pa fatorino e kondicionerë

Urbanët e linjës Tiranë-Durrës, në krahasim me linjat e qyteteve të tjera, mbajnë rekord për vjetërsi të mjeteve.

Disa prej tyre operojnë prej një dekade me të njëjtin mjet, duke mos ofruar kushtet bazike siç është kondicionerët apo shërbimi fatorino.

Nëse do të ankohesh për mungesë të ajrit të kondicionuar, zgjidhja e disa prej tyre është hapja e kanateve të tavanit të urbanit.

Arrogancë dhe shpërfillje ndaj ankesave të udhëtarëve, kjo është ajo që vërehet rëndom tek disa drejtues të urbanëve, të cilët duket sikur nuk njohin ligjet dhe asnjë strukturë përgjegjëse të shtetit.

Përfaqësuesi i shoqatës së transportit ndërqytetas, Shpëtim Vrioni, thotë se rritja e çmimit të biletës u tentua dhe në verë, por pas disa kontrolleve dhe konstatimeve të drejta nga ana e qytetarëve, pronarët e urbanëve u tërhoqën.

Duket se me fillimin e vitit të ri 2025, askush nuk po merret me këtë problem, megjithëse për xhepin e qytetarit, çdo qindarkë e shtuar ndikon në buxhetin familjar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë