Politike

Ligji për zonat e mbrojtura / Zhupa: E kundërshtojmë në çdo formë. Kumbaro: Nuk shkelen direktivat e BE

Nga Gazeta Si- Ndërkohë që jashtë Kuvendit qytetarë dhe shoqëria civile po protestonin për ligjin e zonave të mbrojtura, në Kuvend u miratua ligji me 74 vota pro.

Deputetja Ina Zhupa në fjalën e saj pas përfundimit të seancës ka deklaruar se ligji që u miratua sot për “Zonat e Mbrojtura” do të kundërshtohet në çdo formë.

“Grupi i PD ka qenë kundër dhe do bëjmë çdo përpjekje për ta ndalur që nga Presidenti e deri tek Kushtetuesja. BE ka reaguar sepse ligji është në kundërshtim me marrëveshjen e stabilizim asociimit dhe konventave ku është pjesë Shqipëria”, tha Zhupa.

Edhe deputetja e PD, Jorida Tabaku ka folur për mediat ku u shpreh se qeveria me miratimin e këtyre ndryshimeve, tregon se nuk njeh limite, dhe se sipas saj u hap rrugën 14 investimeve strategjike brenda zonave të mbrojtura.

“Shkelën angazhimin e konventave për mbrojtjen e mjedisit, janë 14 vendime për investime strategjike brenda zonave të mbrojtura.

Ky është një ligj korruptiv, që tregon kapjen e shtetit. Ka 14 ligje që tregojnë kapjen e shtetit. Unë di që qeverisë shqiptare është duke iu dërguar një notë proteste, se kapitujt për mjedisin është ndër më të vështirët. Kur vjen puna për të marrë akte për hapjen e negociatave, i shkel ato me dy këmbë. Me këtë ligj shkoi akoma edhe më tej, mos e shikoni lidhjen vetëm me mjedisin, shikojeni kryekëput korruptiv. BE do vazhdojë përpjekjet, Shqipëria është një vend sovran, por kemi një detyrim nga procesi i integrimit. Është në shkelje të direktivave të BE dhe ligj korruptiv, do japë leje për ndërtim në zona të mbrojtura”, tha Tabaku.

Pas miratimit të ligjit për Zonat e Mbrojtura ministrja e Mjedisit Mirela Kumbaro ka dhënë detaje.

“Vjen në parlament si një nisëm deputetësh që marrin shkas nga një kërkesë e shumë kryetarësh bashkish. Kanë pasur të drejtat legjitime për të kërkuar një tjetër bashkëpunim. Në dijeninë e të gjithëve ka pasur shumë konsultime publike, kryesisht të organizatave mjedisore.

E kam shprehur edhe me takimet me shoqërinë civile që janë disa linja të kuqe që nuk mund të preken. Do ketë ndërtime ekologjike dhe miqësore me mjedisin”, tha Kumbaro duke mohuar se në këtë ligj ka shkelje që bien ndesh me ligjet e BE.

“Me delegacionin e BE-së dhe me gjithë partnerët kemi qenë në komunikim të vazhdueshëm dhe nuk është shkelur asnjë ligj”, tha Kumbaro.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë