Menjëherë pas zbardhjes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese për studentët e mjekësisë, në cilësinë e kryetares së Këshillit të Legjislacionit Dhurata Çupi ka kërkuar mbledhjen e Këshillit me qëllim marrjen e masave për zbatimin e këtij vendimi. Ditën e sotme, Këshilli për Legjislacionin ka vendosur që shqyrtimi i projektligjit t'i kalojë menjëherë komisionit parlamentar të Ligjeve, dhe më pas seancës plenare për votim.
“Ndërkohë që mazhoranca vazhdon të këmbëngulë që periudha pas studimeve gjatë të cilës mjekët e rinj janë të detyruar të punojnë në Shqipëri të jetë 3 vite, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike propozon që kjo periudhë të zerohet dhe mjekët e sapodiplomuar të zgjedhin lirisht vendin ku duan të ushtrojnë profesionin e tyre”, thotë Çupi, duke shtuar se nëse qeveria dëshiron sinqerisht që mjekët e rinj të jetojnë dhe punojnë në Shqipëri, kjo nuk bëhet me masa shtrënguese e penalitete, por duke përmirësuar ndjeshëm kushtet e tyre të punës dhe trajtimin financiar.
Më herët, qeveria kërkoi që studentët e mjekësisë të paguajnë tarifë të plotë ose të firmosin qëndrimin prej 5 vitesh në Shqipëri pas diplomimit. Pasi ligjin e dërguan në Kushtetuese, ligji u shfuqizua pjesërisht, duke ulur vitet e qëndrimit në 3.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.