Menaxhim

Ligji për portet turistike, Ibrahimaj: Tërheq investimet strategjike. Bardhi: I shërben 2-3 vetave

Nga Gazeta ‘Si’- Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, shpjegoi sot në seancën plenare të Kuvendit se nisma e re ligjore për disa shtesa në ligjin “Për portet turistike” synon thjeshtimin e procedurave për investimet në projekte strategjike ku përfshihen resorte, porte dhe marina turistike, me qëllim nxitjen e investimeve dhe zhvillimin e turizmit në vend.

“Kur portet turistike janë pjesë e projekteve strategjike, ndërtimi i tyre realizohet nga vetë subjekti strategjik pa iu nënshtruar procedurës koncesionare të përgjithshme. Kjo nuk cenon transparencën dhe mundëson avancimin e projekteve sipas procedurave të miratuara”, shtoi Ibrahimaj.

Ministrja vuri në dukje se kjo nismë do të stimulojë investimet strategjike, duke kontribuar në zhvillimin e turizmit dhe të ardhurat e ekonomisë shqiptare.

Ibrahimaj, deklaroi se projektligji i ri parashikon që ndërtimi dhe operimi i porteve turistike brenda investimeve strategjike të realizohet nga vetë investitori strategjik, pa iu nënshtruar procedurës së përgjithshme koncesionare.

“Ky ndryshim nuk krijon rregulla të reja, por garanton unitetin e projektit investues dhe respektimin e procedurave të ligjit të investimeve strategjike. Të gjitha kushtet dhe kriteret do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave”, tha Ibrahimaj.

Projektligji u shoqërua me akuza nga opozita. Kreu i grupit demokrat, Gazment Bardhi tha se kjo nismë i shërben një numri të vogël personash.

Bardhi hodhi akuza se investimet strategjike në vend janë të paracaktuara nga qeveria, për klientët e saj.

“Akti i parë që deputetja juaj e re bën në seancën plenare, nuk është si një ligj që zgjidh hallet tuaja. Ka hallin e 2-3 individëve, sepse unë nuk di më shumë njerëz që mund të kenë interes për të ndërtuar porte turistike. Dhe akti i parë, ligji i parë që sjell në Kuvend, është një ligj për dy veta. Sot zonja ngriti kartonin e kuq, votoi kundër ligjit për të lehtësuar barrën fiskale dhe për të ulur çmimin e naftës. Kur miratuat ligjin për investimet strategjike në 2015, i premtuat qytetarëve shqiptarë se do të lehtësonit procedurat për të thithur investimet e huaja. Na thoni pak sa investime të huaja keni thithur nga zbatimi i ligjit për investimet strategjike.

Po si ka mundësi që ju e quani luftën kundër korrupsionit si luftë klasash? Ju çdo projekt që lidhet me aeroportet dhe portet, e keni paracaktuar. Aeroportin e Kukësit pa garë, ka dalë jashtë funksionit. Gjithë ai investimet përdoret nga çunat e Kukësit që bëjnë gara me makina me njëri-tjetrin. Portin e Vlorës, pa garë, të përcaktuar. Vetëm javën e kaluar u morën në ndjekje penale një pjesë e zyrtarëve të përfshirë në këto procedura. Ç’keni bërë me Triportin në Vlorë? Sot pronari është një pensionist që nuk ka lidhje fare me projektin. Ne s’jemi kundër zhvillimit, por këto projekte duhen dhënë me garë”, tha mes të tjerash Bardhi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë