Nga Gazeta ‘SI’ – Në seancën maratonë të parlamentit, po diskutohet edhe projektligji i ri për koncesionet, ku hiqet mundësia e koncesioneve me ofertë të pakërkuar, hiqet praktikat e tarifës “1 euro” dhe vigjilencë të shtuar për studimet e fizibilitet dhe monitorim 3-mujor.
Drafti ka risjellë në Kuvend debatet e komisioneve, ku deputeti socialist Erion Braçe shprehu shqetësimin për mungesën e kontrollit të kontratave koncesionare dhe garantimin e zbatimit të tyre.
Po ashtu, i shqetësuar për ndërhyrjet e huaja, Braçe tha se qeveria duhet të kufizojë industrië ku futen privatët me koncesion, sidomos ato që lidhen me sigurinë kombëtare si energjia për shembull.
“Kam vërejte, e para fushë e gjerë për operimin me këto instrumente. Ligji duhet të kishte sjellë në vëmendje që me këto dy instrumente nuk operohet në fusha për rendin dhe sigurinë publike. Kemi bërë hap përpara që për prodhimin e pasaportave apo ID, e kemi në domen shtetëror dhe jo në kompani private. Së dyti gara e hapur si element kyç për definimin me kontratat koncesioneve duhet të shtrihet edhe në kontratat e PPP. Kemi patur përvoja shumë të hidhura lidhur me transferimin e kontratave. Aeroporti i Rinasit devijoi në një konsorcium kinez. Transferimi i kontratave ka sjellë që nuk marrin maksimumin e mundshëm të përfitimeve. Edhe në shëndetësi kemi një përqendrim shumë të madh në një dy pronarë por nuk kemi marrë ndonjë përfitim që të lë pa mend. Dy definicione, vlera për paratë, risku operativ. Mendoj se transparenca nuk është e plotë, qoftë para dhënies së kontratave koncesionare qoftë pas. Nuk kemi kontroll sinjifikativ të zbatimit të këtyre kontratave. Detyrim për pronarit përfitues të identifikueshëm. Shpesh shfaqen të fshehur dhe vijnë nga vende offshore”, tha ndër të tjera Braçe.
Edhe demokratja Jorida Tabaku shprehu rezervat e saj, ku përmendi mungesën e transparencës, si problemin më të madh.
Tabaku theksoi se pjesa më e madhe e kontratave aktuale janë në shkelje të standardeve të BE-së dhe kërkoi vendosjen e barrierave të reja ligjore për të kufizuar operatorët, sidomos ata që sipas saj kanë kryer abuzime.
“Ligji që vjen ka disa probleme. Në 2023 unë bëra disa propozime ligjore. Transparenca është problem sa i përket prokurimeve publike dhe koncesioneve. Cilat janë informacionet që do të ketë publike me qytetarët, qeveria ka vendosur që jo gjithmonë të japë informacion. Asnjë kontratë e koncesionarit nuk është publikuar. Sot kontratat e koncensioneve po përdoren për pastrim parash. Duhet që të gjendet se ku shkojnë paratë publike dhe për të kufizuar numrin e koncesioneve që merr një kompani. Nëse një kompani nuk kryen punime dhe merr 80 për qind të fondeve dhe merr tenderin tjetër të radhës, kjo s’duhet që të ndodh. Nëse vendosen disa kritere për ta hapur garën pjesëmarrja e kompanive do të jetë më e lartë. Sot pjesa më e madhe e kontratave janë në shkelje të këtyre standardeve. Ne duhet që të vendosim disa barriera në ligj që lidhen me kufizimin e operatorëve. Kompanitë që kanë bërë abuzime duhet që të largohen nga tregu”, tha ajo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




