Gazeta Si – Dy atentatet me armë zjarri në Lezhë dhe Tiranë brenda një harku të shkurtër kohor, me një të vrarë dhe 4 të plagosur, i kanë bërë hetuesit të dyshojnë se kanë lidhje me njëri-tjetrin.
Sipas burimeve në rrugë jo zyrtare, duket se në skenë është rikthyer emri i Ervis Martinajt, i zhdukur prej vitit 2022 dhe armiqësia që ka pasur me Roan Brahimin, i vrarë në një atentat mafioz majin e vitit 2024 në Athinë të Greqisë.
Përplasja mes tyre, dyshohet se shkaktoi mbrëmë viktimën e radhës, Gjovalin Prendin, babai i Roan Brahimit (Sidorel Prendit), i cili u ekzekutua brenda lokalit të tij në Pllanë të Lezhës.
Në atentatin tjetër në Tiranë, ku mbetën të plagosur 4 persona, dyshohet se autorët ngatërruan shënjestër, pasi objektivi duhet të ishte gruaja e Roan Brahimit, e cila përdorte një ‘G Class’ shumë të ngjashëm me atë të të plagosurve dhe ishte fqinje me ta në Lundër.
Por çfarë e shkaktoi këtë përplasje të egër mes Martinajt dhe Brahimit, i cili dyshohej edhe si i përfshirë në ekzekutimin e Brilant Martinajt dhe dy shokëve të tij në mbikalimin e Fushë Krujës në korrik të vitit 2022?
Sipas burimeve, armiqësia duket se nisi vite më parë, ku Brahimi, apo siç njihej ndryshe, Sidorel Prendi, u dhunua dhe denigrua nga Brilant Martinaj. Gjithnjë sipas burimeve, thuhet se ai i urin** në fytyrë, akt ky që Roani nga Pllana e Lezhës, nuk e harroi kurrë.
Ngjarja ndodhi për një borxh bixhozi të cilin Brahimi nuk e shleu. Ylli Brahimi në rreth miqësie me Brahimin, e dërgoi atë në një nga bazat afër Fushës Kuqes, ku ishin Ervis Martinaj dhe njerëzit e tij të besuar.
Me daljen e tij gjallë nga aty, asokohe thuhet se Roan Brahimi paralajmëroi Ylli Brahimin: “Nuk ta fal kurrë atë që më ke bërë”!
Emri i Roan Brahimit u shfaq mes të dyshuarve për atentate të bujshme, si masakra e Fushë Krujës në korrik 2022, ku u vranë dhe u dogjën në makinë Brilant Martinaj, Besmir Hoxha dhe Dikler Vata.
Më 22 korrik 2022, në Milot, u organizua një atentat ndaj Ylli Brahimit, krahu i djathtë i Ervis Martinajt, ku mbeti i vrarë Klisman Preçi. Edhe për këtë ngjarje, Brahimi u dyshua si organizator.
Roan Brahimi dyshohet të ketë lidhje edhe me vrasjen Gentjan Bejtjes në 15 mars të 2024 në Larushk të Krujës.
Një nga personat e arrestuar nga policia si transportues të vrasësve, Ilir Beqaraj, rezulton të ketë lidhje miqësore me të, konkretisht kunat me Roan Brahimin.
Ky i fundit, në bashkëpunim me grupin e Niklës, ka dyshime të forta se kanë bashkëpunuar për të kryer këtë atentat, e po ashtu dyshohen të përfshirë edhe në disa ngjarje të fundit të ndodhura në Kurbin dhe Lezhë.
Ata mendohet të kenë qenë financues dhe organizatorë, për të goditur grupin rival të Ervis Martinajt. Për vrasjen e Gentjan Bejtjes dyshohet se pajtuan qitës nga Vlora.
32 vjeçari Brahimi u largua nga Shqipëria dhe u vendos në Dubai, por armiqtë ishin në ndjekje të tij. Më 9 maj 2024, ai u vra në Athinë nga 2 persona të maskuar me motor, teksa ishte me partneren dhe djalin e tij të mitur. Një ngjarje që nuk është zbardhur ende nga autoritetet greke.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.