Histori

Lidhja e Prizrenit: Një përgjigje politike ndaj copëtimit të trojeve shqiptare

Nga Gazeta “SI”– Më 10 qershor 1878, në xhaminë Bajraklie të Prizrenit, ku deri një vit më parë ndodhej selia e Vilajetit të Kosovës, u themelua zyrtarisht Lidhja Shqiptare e Prizrenit,  organizimi i parë politik gjithëshqiptar brenda Perandorisë Osmane. Kjo datë shënon jo vetëm një moment kulmor të vetëdijes kombëtare, por edhe një përpjekje për të organizuar rezistencën përballë vendimeve të padrejta të fuqive të mëdha.

Pas përfundimit të Luftës Ruso-Turke, traktatet e Shën Stefanit dhe më pas të Berlinit rrezikonin të copëtonin territore të banuara nga shqiptarët duke i aneksuar ato në shtete fqinje si Mali i Zi, Serbia dhe Bullgaria. Shqiptarët, të shqetësuar për fatin e tokave të tyre, iu përgjigjën me një organizim të gjerë dhe të strukturuar, me qëllimin e mbrojtjes së tërësisë tokësore dhe të drejtave të tyre politike.

Megjithëse Perandoria Osmane nuk mund t’u shmangej traktateve ndërkombëtare, Sulltan Abdyl Hamid II shfaqi një lloj përkrahjeje të heshtur ndaj lëvizjes shqiptare. Ai thirri në Stamboll personalitete si Sheh Mustafa Tetovën dhe Abdyl Frashërin, dhe dha udhëzime që autoritetet ushtarake të mos e pengonin organizimin e Lidhjes. Ndërkohë, figura të rëndësishme fetare dhe qytetare, si Ahmet efendi Koronica, Ymer efendiu dhe Jonuz efendiu, u aktivizuan në terren.

Në mbledhjen e 18 qershorit 1878, në prani të 47 përfaqësuesve nga kazatë e Vilajetit të Kosovës, u miratua një dokument programatik, i njohur si Kararnamé, ku në krye qëndronin firmat e Iljaz pashë Dibrës dhe Abdullah pashë Drenit. Dokumenti përvijonte synimet e para të Lidhjes: ruajtjen e integritetit të Perandorisë në Ballkan, mbrojtjen e “Dinit, Devletit e Vatanit” dhe qëndrimin e prerë ndaj aneksimeve të territoreve shqiptare.

Me kalimin e ditëve, lëvizja mori përmasa mbarëkombëtare. Më 23 qershor u bashkuan delegatë nga të gjitha qytetet shqiptare dhe më 30 qershor, në Prizren mbërritën edhe përfaqësuesit e Shkodrës, ndër ta Jusuf agë Sokoli dhe disa krerë nga Malësia. Tashmë, Lidhja e Prizrenit ishte shndërruar në një strukturë politike me autoritet të plotë mbi tokat shqiptare.

Lidhja organizoi një sistem të përbërë nga tre komitete kryesore:

Komiteti për Punët e Jashtme, i drejtuar nga Abdyl Frashëri, me anëtarë si Shaban bej Peja dhe Galip bej Shkupi, i cili merrej me dërgimin e lutjeve dhe protestave në Kongresin e Berlinit, si dhe me korrespondencën me mbështetës të huaj.

Komiteti për Punët e Brendshme, që administronte territorin, mblidhte ushtrinë vullnetare dhe kujdesej për sigurinë, përbëhej nga figura si Haxhi Shabani i Prizrenit dhe Esat pashë Tetova.

Komiteti i Financës, me emra si Sulejman agë Vokshi dhe Zija bej Prishtina, kishte në dorë mbledhjen e fondeve për armatosjen dhe furnizimin e forcave shqiptare.

Këto komitete funksiononin gjatë mbledhjeve të përgjithshme, nën mbikëqyrjen e Degës lokale të Prizrenit, të kryesuar nga Ymer efendiu.

Lidhja krijoi dy degë të mëdha territoriale: Degën e Veriut, me qendër në Prizren, të drejtuar nga Iljaz pashë Çoku, dhe Degën e Jugut, me qendër në Gjirokastër, të udhëhequr nga Abdyl Frashëri. Këto degë përfshinin përfaqësues nga pothuajse të gjitha trevat shqiptare, nga Tetova dhe Shkupi, deri në Berat, Gjirokastër e Paramithi.

Komitetet e Veriut dhe Jugut bashkërendoheshin përmes njerëzve të besuar që takoheshin në Elbasan, duke ndërtuar kështu një rrjet të brendshëm komunikimi dhe koordinimi.

Lidhja e Prizrenit do të vazhdonte të ishte një pikë referimi për kërkesat politike shqiptare për autonomi dhe vetëvendosje, duke hapur rrugën për zhvillime të mëvonshme kombëtare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë