Teknologji dhe Inovacion

Liderët e G7 do të mbajnë takimin e parë mbi rregulloren e ChatGPT javën e ardhshme

Udhëheqësit e G7 do të takohen javën e ardhshme për të analizuar problemet e krijuara nga mjetet e Inteligjencës Artificiale gjeneruese si ChatGPT.

Javën e kaluar, liderët e G7, që përfshin Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Europian dhe Japoninë vendosën të krijojnë një forum ndërqeveritar, i quajtur “Procesi Hiroshima AI” për të diskutuar çështjet në lidhje me mjetet e IA(inteligjencës artificiale) në rritje të shpejtë.

Më 30 maj, zyrtarët e qeverisë të G7 do të mbajnë takimin e parë mbi IA dhe do të shqyrtojnë çështje si mbrojtja e pronësisë intelektuale, keqinformimi dhe mënyrën se si duhet të rregullohet teknologjia, tha ministri japonez i Komunikimeve, Takeaki Matsumoto.

Takimi vjen ndërkohë që autoritetet rregullatore të teknologjisë në botë vlerësojnë ndikimin e shërbimeve të njohura të IA, si ChatGPT nga OpenAI, i mbështetur nga Microsoft.

Bashkimi Europian po i afrohet miratimit të legjislacionit të parë të rëndësishëm në botë për IA, duke nxitur të tjera qeveri të marrin në shqyrtim se cilat rregulla duhet të zbatohen tek
instrumentet e IA.

Japonia, në cilësinë e presidencës së G7 këtë vit, “do të udhëheqë diskutimin e G7 mbi përdorimin e përgjegjshëm të teknologjisë së IA gjeneruese”, tha Matsumoto, duke shtuar se forumi shpreson të prezantojë sugjerime për krerët e shteteve deri në fund të vitit.

Në samitin e G7 të Hiroshimës javën e kaluar, udhëheqësit kërkuan edhe zhvillimin dhe miratimin e standardeve teknike ndërkombëtare për të mbajtur IA “të besueshme” dhe “në përputhje me vlerat tona të përbashkëta demokratike”.

Grupi i punës mbi Inteligjencën Artificiale të G7 do të kërkojë ndihmesën e Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), deklaroi Matsumoto në një konferencë për shtyp.

Burimi: Reuters


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë