Drejtësia

Licencoi karburantin pa leje, GJKKO shpall të pafajshëm kryetarin e Bashkisë Devoll, Eduart Duro

Gazeta Si – Kryebashkiaku socialist i Devollit, Eduart Duro është shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Posaçme për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, edhe pse disa ditë më parë SPAK kërkoi dënimin e tij me 1 vit burg.

Gjykata shpalli të pafajshëm dhe 4 zyrtarët e tjerë, përkatësisht Astrit Seferkolli, Gazment Haxhia, Gazment Mali, dhe Vojsava Bregu.

Por, i zgjedhuri socialist nuk do të rrezikonte gjithsesi të futej në qeli, pasi përfundimisht SPAK kishte kërkuar konvertimin e dënimit me 3 vjet shërbim prove.

Duro akuzohet se licensoi një karburant që ishte i ndërtuar pa leje. SPAK thekson se në bazë të rezultateve të hetimit, janë konstatuar shkelje nga njësia administrative Qendër Bilisht, me dhënien e një lejeje në vitin 2015 dhe një autorizimi në vitin 2020 për shoqërinë “Genci Petrol”, ku i lejohet ngritja e pikës së karburantit në Kapshticë.

Prokuroria dyshoi se kjo shoqëri që kur ka marrë lejen në vitin 2015 ka realizuar përfitime të padrejta.

Nga aktet e administruara nga prokuroria rezulton se Eduard Duro, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Devoll dhe në bashkëpunim me zyrtarët e Sektorit të të Ardhurave dhe Liçencimit, pajisën shoqërinë tregtare me autorizimin “Për tregtimin me pakicë të karburanteve”.

Autorizimi i mësipërm, sipas SPAK, është dhënë në kundërshtim me ligjin dhe në këtë kohë shoqëria nuk ka qenë e pajisur me dokumentacionin ligjor të kërkuar, certifikatën e përdorimit të objektit stacion karburanti dhe autorizimin për hyrje-dalje në rrugë nga enti pronar i rrugës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë