Vitin e kaluar, një qytet i vogël polak i quajtur Tuchow miratoi një rezolutë duke shpallur veten një “bashki pa ideologjinë e LGBT”.
Në korrik, Bashkimi Europian u përgjigj duke i hequr fondet për një program që lidh Tuchow me një qytet motër në Francë sepse për autoritetet e Bashkimit Europian, Tuchow kishte shkelur një të drejtë themelore për të mos u diskriminuar bazuar në orientimin seksual ose gjininë. Disa vendas aty, në mbështetje të Presidentit të ri Andrzej Duda, nuk e shohin atë në atë mënyrë.

“Është më e rëndësishme për mua dhe kolegët e mi dhe ndoshta për banorët, të mbrojmë vlerat tona në vend se të shesim veten për disa monedha.” tha këshilltari i qytetit, Mateusz Janiczek, anëtar i “Partia e Drejtësisë”, e cila mbështet Andrzej Duda.
Të drejtat e komunitetit LGBT janë bërë një pikënisje në një luftë kulturore midis perëndimit të Europës, e cila po bëhet gjerësisht më e hapur për çeshtje të tilla shoqërore dhe lindjes, e cila përpiqet të ketë pikëpamje më konservatore.
Politikanët në vendet e lindjes e shohin veten si mbrojtës të traditave dhe vlerave të krishtera gjë që në perëndim është në kundërshtim me parimet themelore të demokracisë liberale perëndimore.
Zyrtarët e BE-së kanë thënë në disa raste se qeveritë e Europës lindore po gërryejnë sundimin e ligjit dhe lirinë e mediave duke futur kontrollin politik mbi gjykatat dhe shtypin dhe duke mbështetur pikëpamjet që shihen si armiqësore ndaj njerëzve homoseksualë dhe minoriteteve të tjera.
Në Poloni, partia qeverisëse “Ligj dhe Drejtësi” ka hedhur deklarata të ashpra kundët komunitetit duke e quajtur homoseksualizmin si “një ideologji neo-bolshevike”.
“Ne nuk ndjehemi të sigurt,” tha Bart Staszewski, një aktivist i shquar polak i komunitetit LGBT.
Ai tha se ndihen si qytetarë të parëndësishëm dhe i gjithë shteti po mundohet ti trajtojë si armik.
Të Dielën një grup organizuan një protestë duke përdorur parullën “Stop LGBT” jashtë Universitetit të Varshavës, duke brohoritur dhe djegur një flamur ylber që është dhe simboli i LGBT. Policia i mbajti të ndarë nga aktivistët e LGBT.
Këtë muaj, policia në Varshavë arrestoi një aktivist të LGBT, Margot Szutowicz, sepse sipas tyre ai sulmoi një fushatë kundër abortit dhe e la në paraburgim për dy muaj e pastaj do të dalë para gjykatës ku do të marrë gjykimin. Në një protestë të vogël për mbështetjen e Margot në 7 gusht, policia arrestoi 48 njerëz, duke përfshirë edhe kalimtarët dhe turistët.
Ata persona u lanë të lirë të nesërmen, por sipas një hetimi nga komisioneri polak për të drejtat e njeriut, disa kishin lëndime të dukshme në trupat e tyre dhe të tjerët deklaruan se ishin zhveshur lakuriq ndërsa ishin në paraburgim të policisë dhe duruan sharje anti-LGBT.

Në muajt e fundit, Polonia dhe Sllovakia kanë refuzuar një konventë europiane kundër dhunës në familje sepse ajo përcakton gjininë si një strukturë sociale. Hungaria miratoi një ligj që i jep fund njohjes ligjore të njerëzve transgjinorë. Në Rumani, shumë degë në Universitetet kanë kusht gjininë për tu futur në atë degë ose jo.
Ky është një kontrast me shumë kombe të Europës Perëndimore madje edhe ato tradicionalisht katolike të cilat vitet e fundit kanë filluar të njohin martesën e të njëjtit seks dhe kanë pikëpamjet më të gjera mbi identitetin gjinor. Hollanda, për shembull, kohët e fundit tha se do të heqë gjininë nga kartat e identitetit. “Traktatet tona sigurojnë çdo person në Europë të jetë i lirë, të jetë ai që është, të jetojë atje ku dëshiron, ta dojë atë që dëshiron dhe të synojë aq sa dëshiron,” tha Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen, duke u zotuar të shkojë më tej për të drejtat e LGBT.
Ndarja kulturore e Europës shpërtheu hapur në 2015 kur Gjermania dhe anëtarët e tjerë të BE-së Perëndimore vendosën të pranojnë më shumë se një milion refugjatë, shumë prej tyre myslimanë dhe t’i shpërndajnë në të gjithë bllokun, duke kundërshtuar kundërshtimet e udhëheqësve Lindorë, të cilët thanë se nuk kishin burime për t’u kujdesur për refugjatët dhe donin t’i mbanin vendet e tyre të krishtera.
Zyrtarët e BE-së, të shtyrë nga anëtarë më të pasur dhe më liberalë, përfshirë Danimarkën dhe Hollandën, tani po kërkojnë të kufizojnë fondet në vendet që dalin nga normat e përcaktuara.
Sipas sondazhit të komunitetit LGBT të BE-së të publikuar këtë vit nga “Agjencia e të Drejtave Themelore”, 68% e të anketuarve në Poloni perceptojnë një rritje të intolerancës gjatë pesë viteve të fundit dhe 66% thonë se dhuna ndaj komunitetit të tyre është rritur. Nga ana tjetër, mbi 70% e të anketuarve në Irlandë, Maltë dhe Finlandë thanë se intoleranca dhe dhuna ishin zvogëluar në të njëjtën periudhë.
Marta Lempart, një aktiviste e LGBT tha që tani në Poloni nuk kuptohet çfarë po ndodh në këtë komunitet.
“Nga njëra anë, ka një humbje totale të sigurisë, ka frikë dhe ndjenjë poshtërimi. Nga ana tjetër ka mobilizim, solidaritet dhe krenari që flamuri i ylberit tani është në Poloni simboli më i rëndësishëm i luftës për liri.” tha ajo.
Në 6 gusht ku Duda rifitoi zgjedhjet dhe u shpall prezident, 10 antare të opozitës u veshën me ngjyrat e flamurit të LGBT, në mbështetje të këtij komuniteti dhe këtë muaj, e përditshmja “Gazeta Wyborcza” vendosi flamurin e ylberit në faqen e parë për të njejtën arsye.

Në Tuchow, një qytet 900-vjeçar në Poloninë juglindore, shkurtimet e fondeve të BE nxitën reagime të ndryshme. Banorët lokalë që nga viti 1994 kanë udhëtuar në qytetin motër francez, Saint-Jean de Braye dhe kanë mirëpritur studentët në shkëmbim të financuar pjesërisht nga BE dhe për kryebashkiaken e Tuchow, Malgorzata Marszalek, humbja e atyre parave sjell më shumë probleme për komunitetin e saj.
“Banorët nuk janë të vetëdijshëm për peshën e pasojave. Ata nuk e shohin lidhjen midis projekt-ligjit dhe humbjes së fondeve të BE-së.” tha Marszalek.
Në Francë, zyrtarët e Saint-Jean de Braye miratuan vendimin e BE.
Colette Martin-Chabbert, nënkryetarja e komunës, tha se për to, është e rëndësishme të luftojnë për të drejtat e njeriut dhe të tregojnë se janë të hapur për të gjitha pakicat.
Vendasit janë veçanërisht të ndjeshëm për këtë çështje, tha Martin-Chabbert, sepse gjatë Luftës së Dytë Botërore, nazistët okupues ngritën tre kampe përqendrimi në rajon dhe një ishte për njerëzit me orientime seksuale të ndryshme.
“Ne nuk harrojmë e prandaj sot jemi aq të ndjeshëm për këtë çështje.” tha ajo.
Disa zyrtarë të BE-së kanë thënë se ngrirjet e fondeve të lidhura me gjininë, edhe pse janë modeste, janë një paralajmërim se do të ketë më shumë se kaq .
Autoritetet e BE-së këtë vjeshtë synojnë të publikojnë një propozim për sanksione financiare mbi shkeljen e ligjit dhe të drejtave themelore.
Burimi: Wall Street Journal. Përktheu:Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



