Nga Gazeta Si- Një 48-vjeçar nga Pogradeci është arrestuar në Lezhë, pasi u kap teksa transportonte me makinë armë zjarri dhe dy mina me telekomandë, të cilat sipas policisë do përdoreshin për ngjarje kriminale.
Mësohet se në pranga ka rënë shtetasi A. Z., i cili akuzohet për “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Gjatë operacionit, në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Shënkollit”, Lezhë, shërbimet e Policisë ndaluan për kontroll automjetin taksi ku udhëtonte si pasagjer shtetasi A. Z. Nga kontrolli fizik i këtij shtetasi, Policia i gjeti 1 armë zjarri pistoletë me fishekë, dy mina me telekomandë, dhe municion luftarak.
“Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për zbardhjen e plotë të qëllimit të udhëtimit të 48 vjeçarit i armatosur me armë zjarri dhe mina, si dhe për identifikimin e kapjen e shtetasit/ve që do të bashkëpunonte në Lezhë, për të kryer ngjarje kriminale”, thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.