Futboll

Lëvizja e radhës në stolin e Laçit, kthehet Besnik Prenga

Në verë Laçi mbylli bashkëpunimin me Gentian Mezanin, pavarësisht se me këtë të fundit në krye siguroi Ligën e Europës. Në këtë kompeticion skuadrën kurbinase e drejtoi Besnik Prenga, trajneri shqiptar që jeton në Kroaci, i cili qëndroi vetëm për ndeshjet europiane dhe u largua, për t’u kthyer sot në stolin bardhezi.

Drejtuesit e Laçit kanë marrë vendimin për rikthimin e Besnik Prengës, pas rezultateve të dobëta të javëve të fundit, kur skuadrën e ka drejtuar Migen Memelli. Ky i fundit ishte trajneri përkohshëm i Laçit, pas largimit të Artan Mërgjyshit disa javë më parë. Kurbinasit kanë dalë nga zonë europioane e renditjes dhe presidenti Laska nuk ka pritur më. Laçi ka ndërruar tri herë trajner në 16 javë kampionat. E nisi me Artan Mërgjyshin, për të vazhduar disa javë me Migen Memellin dhe tani radhën e ka Besnik Prenga, njeriu që e ndihmoi këtë ekip të kalonte një tur në Ligën e Europës dhe në transferimin e Myrto Uzunit në Kroaci, te Lokomotiva e Zagrebit. Përveç Laçit, Prenga ka drejtuar disa ekipe të kategorive inferiore në Kroaci, ku njihet për punën e mirë që bën me sektorin e të rinjve.

Laçi pret Tiranën për javën e 17-të të kampionatit dhe duhet të kthehet te fitorja, për të mos humbur më terren në renditje. Ndoshta në merkaton e janarit te kurbinasit do të ketë edhe përforcime, pasi skuadra ka nevojë, nëse synon të kapë Kupat e Europës.

 

Më Shumë