Lojëra me Dore

Lejkërsat kampionë për herë të 17-të, LeBron Xhejms më i miri i turneut

Los Anxheles Lejkërs kanë mbyllur llogaritë e titullit në ndeshjen e 6-të të fazës finale, duke shfrytëzuar “match point”-in e dytë për t’u zyrtarizuar si kampionë. Majemi Hits janë detyruar të dorëzohen pas 6 ndeshjesh të luajtura.

Lejkërsat triumfuan 106-93 në ndeshjen e fundit, duke mos e vënë asnjëherë në diskutim fitoren. LeBron Xhejms e mbylli me tre dyshifrore dhe për herë të katërt në karrierë është shpallur “MVP” (lojtari më i mirë) i fazës finale.

Ky është titulli i 17-të për Lejkërsat, që kthehen në majë të basketbollit amerikan 10 vite pas triumfit të fundit. Ia kanë dalë pas një sezoni të pambarimtë. Një triumf absolut për LeBron Xhejms, për herë të parë me tre elementë dyshifrorë (28 pikë, 14 ribaunde dhe 10 asiste). Ai u nominua “Lojtari më i mirë” i fazës finale. Ka fituar unazën e 4-t në karrierë me 4 skuadra të ndryshme, i vetmi në historinë e NBA–së që e bën diçka të tillë. “Mbreti” nuk ka ndërmend ta lëshojë “fronin” edhe në moshën 36-vjeçare.

Fitorja e Lejkërsave ka edhe shenjën e Antoni Davis, vendimtar me 19 pikë dhe 15 ribaunde. Për të është titulli i parë në karrierë. Në ndeshjen e fundit i rëndësishëm ishte edhe stoli, me një Rajon Rondo që shënoi 19 pikë. Lejkërsat barazojnë Boston Selltiks me 17 tituj në NBA dhe dedikimi special është për Kobi Brajant, 8 muaj e gjysmë pas ndarjes së tij nga jeta dhe 10 vite pas triumfit të tij të fundit.

Për Majemi Hits nuk ka asnjë peng. Goran Dragiç shtrëngoi dhëmbët dhe u përpoq te jepte kontributin e tij në parket, pavarësisht dëmtimit. Bam Adebajo, me 25 pikë, 10 ribaunde dhe 5 asiste nuk mjaftoi, kurse Xhimi Batler nuk ishte në nivelin e ndeshjeve të mëparshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë