Kombetarja

Legjionarët kuqezi shndërrohen në futbollistë të zakonshëm duke trembur Silvinjon dhe tifozët

Nga Gazeta Si- Nën termin romak legjionarë, me të cilin përkufizoheshin ushtarët e legjioneve të huaja nëpër Europë, janë etiketuar gjithmonë futbollistët shqiptarë të Kombëtares. Ata japin kontributin e tyre dhe si pjesë e ekipit përfaqësues, mbajnë formën apo përmirësohen në klubet ku aktivizohen, për të mbërritur në Kombëtare në maksimumin e tyre kur vjen momenti i grumbullimeve të mëdha.

Thuajse në çdo fundjavë të vitit të shkuar, legjionarët na bënin krenarë jo thjeshtë me aktivizimin e minutave maksimale me klubet e tyre, por edhe për një kontribut me gola, asiste dhe paraqitje thuajse perfekte në ekipet, duke marrë rezultate pozitive.

Por fillimi i 2025-s është një re gri, për të mos thënë e zezë, për kuqezinjtë tanë legjionarë, ku një pjesë e tyre janë me valixhe në duar për të shfrytëzuar maksimalisht merkaton e dimrit për të ndryshuar skuadër… Kjo mund të jetë një nga arsyet e uljes së ritmit dhe uljes së sensit të protagonizmit, për të mos dashur të flasim për rënien e përgjithshme të ritmit të tyre.

Në këtë mbyllje të muajit janar, sërish asnjëri nga lojtarët kuqezi nuk mundi të dhurojë gola, edhe pse ju gëzuam ndonjë asisti, si ai i Nedim Bajramit në Skoci, që veç asisteve ju gëzuam edhe rikthimit në formacion, edhe pse jo për një ndeshje të plotë 90-minutëshe, por vetëm për 45 minuta. Ndërkohë, që në total tek Glasgou, ai ka vetëm 3 ndeshje të plota nga 20 që ka zhvilluar në këtë sezon ekipi tij.

I vetmi që ka luajtur 90 minuta në fundjavën e shkuar dhe skuadra e tij ka fituar ishte Marash Kumbulla te Espanyol. Pjesa tjetër, nga kapiteni Gjimshiti që luajti vetëm 64 minuta përballë Napolit, ku Atalanta e tij u mund, tek Ardian Ismajli që luajti 90 minuta kundër Interi, ku Empoli i tij u mund 3-1.

Pjesa tjetër, si Ajeti apo Mitaj, kanë luajtur rregullisht pa patur ndonjë protagonizëm apo spikatje, pavarësisht kohës së plotë të aktivizimit. Asllani tek Interi shfrytëzoi sërish dëmtimet e lojtarëve kryesorë për t’u aktivizuar 90 minuta, por nëse e sheh në të gjithë sezoni, ky ishte vetëm 90-minutëshi i tij i dytë në edicionin 2024/2025 në 21 ndeshjet e luajtura. Nga ana tjetër po në Serinë A, Ramadani, që vitin e kaluar ishte i padiskutueshëm protagonist dhe në formacionin e Lecces, në këtë fundjavë u aktivizua vetëm 27 minuta.

Hysaj lajmin më të mirë ka se do të rikthehet të jetë në planet e trajnerit të Lazios pas 4 ndeshjesh me disa minuta që ka marrë pjesë, pasi në 7 nga 21 javët e Serisë A, ishte i përjashtuar nga ekipi.

Dhe për të kaluar tek sulmuesit që regjistruan një tjetër fundjavë shterpë, nga Manaj që ishim mësuar ta shihnim të shënonte më shpesh, tek Muçi që luajti vetëm 30 minuta, tek Uzuni që ka dy javë që po rri gati me valixhen në dorë për të shkuar në SHBA, sepse Granada nuk i plotësonte më kushtet e futbollistit tonë. Mirlind Daku në Rusi ndeshjen e fundit e ka më 7 dhjetor dhe tashmë do të presë disa kohë sa të rifillojë kampionati. Për të mos folur këtu për yllin që nuk lindi kurrë, Armando Brojën, 16 ndeshje pushim, për shkak të dëmtimit nga 22 javë, 6 ndeshjet e tjera asnjëra 90 minuta për fat të keq.

Shifra dëshpëruese për një fushatë ëndërrimtare që do të fillojmë në muajin mars, atë të fushatës kualifikuese për në Botërorin e 2026-s. Silvinjo në “epokën” e tij të dytë sheh gjithçka në malore, tashmë një ngjitje që mund të rezultojë fatale edhe për të, nëse gjërat do të vazhdojnë kështu.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë