Lojëra me Dore

Legjendari Pau Gasol synon Olimpiadën e 5 në moshën 41-vjeçare

Basketbollisti spanjoll, Pau Gasol, i cili e humbi sezonin aktual për shkak dëmtimi, nuk e fsheh dëshirën për ta mbyllur karrierën në Tokio, pavarësisht se Lojërat Olimpike janë shtyrë me një vit më pas. Duhet të luajë edhe një sezon, ndoshta me Barcelonën, skuadrën ku është rritur si sportist.

Ka qenë gjithmonë ëndrra e tij të luajë Olimpiadën e 5-të në karrierë dhe t’i thotë lamtumirë basketbollit që e ka shndërruar në një legjendë pas turneut të Tokios me Spanjën e tij, kampione në fuqi e botës. Nga kjo ëndërr Gasol nuk ka hequr dorë edhe pasi Olimpiada është shtyrë për në verën e vitit 2021. Sezonin 2019-20 nuk ka luajtur për shkak dëmtimi, por lojtari i Portland në NBA sërish nuk dorëzohet. Gasol vazhdon terapinë dhe stërvitet në garazhin e shtëpisë.

Gasol me fanellën e Los Anxhelos Lejkërs. Gazeta Si, 16 prill 2020

"Natyrisht, nëse dua të marr pjesë në Olimpiadë, në vitin 2021, do të më duhet të luaj një basketboll konkurrues në një nivel të lartë për të qenë gati. Përparësi është shëndeti, dua të sigurohem se këmba është shëruar plotësisht. Do të përpiqem të luaj edhe në këtë moshë, sepse më thonë zemra dhe mendja, por edhe trupi duhet të bashkëpunojë. Rikthimi të Barcelona? Të shohim”, - ka thënë basketbollisti i njohur spanjoll, i cili ka bërë histori me kombëtaren e vendit të tij, por edhe në NBA, ku ka veshur edhe fanellën e Los Anxhelos Lejkërs.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë