Drejtësia

Lefter Koka, mbi 3 orë dëshmi para SPAK-ut: Kam zbatuar ligjin, kompanitë për Fierin nuk i njoh

Gazeta Si - Për rreth 3 orë e 30 minuta para prokurorëve të SPAK-ut, ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka, ka mbajtur një qëndrim mohues në lidhje me akuzat për përfitimin e miliona eurove nga inceneratorët e Fierit dhe Elbasanit.

Në dëshminë e tij të parë që prej kohës së arrestimit, Koka ka thënë se i ka zbatuar të gjitha procedurat dhe se nuk i njeh shoqëritë e inceneratorit të Fierit. Ai tha se duhet ta gjejë SPAK-u se cilat janë kompanitë që kanë marrë lekët.

“Kam zbatuar procedurat e ngritura nga komisioni. Ligji ynë për koncesionet nuk e parashikon që të botohet në fletoren e prokurimeve europiane. Tokën e shpronësuar për inceneratorin e Fierit nuk e kemi trajtuar kurrë si ’tokë truall,’ por si ‘tokë are në shpronësim’”, - ka thënë Koka.

Lidhur me akuzën për korrupsion, Koka ka pretenduar se nuk ka asnjë lidhje apo ndikim në kompanitë që kanë marrë para për kryerje punimesh në incenerator.

“Nuk kam asnjë lidhje me pronarët e tokës. Tre shoqëritë e inceneratorit të Fierit që përflitet se kam marrë lekë nuk i njoh, gjejini ju se të kujt janë shoqëritë që kanë marrë lekët”, - ka vijuar ai.

Duke këmbëngulur se nuk ka shpërdoruar detyrën, ish-ministri ka deklaruar se sa i takon shpronësimit, është ngritur një komision i posaçëm.

Më 14 dhjetor 2021 SPAK arrestoi ish ministrin Lefter Koka si të përfshirë në aferën e inceneratorit të Elbasanit dhe atë të Fierit, duke përfituar rreth 5 milionë euro.

Koka, prej dy javësh është transferuar në paraburgimin e Durrësit, ndërsa do të mbetet në burg pas vendimit të marrë më 31 mars nga Gjykata e Lartë, e cila i ka refuzuar rekursin për t’u liruar nga masa e sigurimit 'arrest me burg' pas akuzave për përfitimin e 3.7 milionë euro për aferën e inceneratorit të Elbasanit dhe 1.2 milionë euro në inceneratorin e Fierit, pra në total sipas SPAK, rreth 5 milionë euro nga të 2 inceneratorët.

Lefter Koka akuzohet për shpërdorim të detyrës, pastrim të parave dhe korrupsion, ku përmes faturave tatimore fiktive nga kompani të treta të lidhura me ish-ministrin, për punime që në të vërtetë nuk janë kryer.

Një ditë më parë, për mbi dy orë, ish-deputeti socialist Alqi Bllako, mohoi para prokurorëve të SPAK-ut akuzat për abuzim për procedurën e dhënies me koncension të inceneratorit të Fierit, një çështje që i kushtoi atij jo vetëm mandatin, por edhe lirinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë