Ikën zogjtë, ika unë,
Lamtumirë o miq dhe shokë!
Do shkoj atje ku kam punë,
Do shkoj në një tjetër botë...
Me vargjet e tij e kishte lënë të shkruar si një testament artistik lamtumirën. Lefter Çipa u largua jo pa përmbushur edhe një punë të fundit, botimin e librit “Njerëz me dritë”, që doli për lexuesin në ditën e të Dashuruarve. Ditë kur ai kremtoi ditëlindjen e 79-të.
Botoi gjatë jetës 18 libra me poezi dhe la pas një kolanë që do të botohet së shpejti.Për krijimtarinë e tij, u pagëzua edhe si “princi” i polifonisë shqiptare, studiues dhe hulumtues i ngulmët i poezisë së trashëguar në formë të pashkruara në jug të vendit.
Shkroi 1250 këngë, që u interpretuan nga interpretuara nga grupet e famshme polifonike si ai i Pilurit, udhëheqës artistik i të cilit ka qenë për mbi 40 vjet, grupet polifonike të Himarës, Bënçës, Dhërmiut, Gjirokastrës, Vlorës, Lapardhasë, Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve si dhe dhjetëra ansambleve të tjera artistike në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni etj.
Sëmundja nisi t’i rëndojë në fillim të vitit të shkuar, kur siç zbulon i biri, gazetari Aleksandër Çipa në parathënien e librit “Njerëz me dritë’, pati kalcifikim të enëve të gjakut, gangrenizimi i gishtërinjve dhe krejt shputës së djathtë, e që në dy herë të njëpasnjëshme ndërhyrjesh kirurgjikale, e humbi.
“Në këto përpëlitje të përbindshme, humbi hapin dhe lëvizjen. U mbërthye burri që kishte konsumuar gjithë versionet e udhëtimit në jetë. Ndali hapin e palodhur të këmbëve të veta”, shkruan Aleksandër Çipa. “Udhëtimi dhe kontributi i At-krijuesit tim në jetë, vazhdojnë deri në këto ditë të mugëtirës së tij fizike të fillim vitit 2021. Edhe kur humbi këmbën, nuk e njohu zvarritjen”.
Librin “Njerëz me dritë” , shkruan Aleksandër Çipa, ua kushton atyre që i ka dashur dhe çmuar. Janë “njerëzit me dritë”, për kulturën dhe kombësinë shqiptare. “Gjatë kohës që lëngoi, bashkëkomunikuesve dhe ne, fëmijëve të tij, na bëri dhuratë-porosi një pjesë të madhe të epistolateve dhe sentencave të këtij libri. Ndonjë prej tyre na ka humbur prej pavëmendjes apo harresës. Një peng që ndoshta nuk e zhbëjmë dot. Gjithsesi, prej tij ne ishim me fat. Nuk shijuam vetëm fatin e këngës apo poezisë, por mësuam se si t’i shquajmë dhe t’i duam, posaçërisht në jetë dhe tek Atdheu, “njerëzit me dritë””, shkruan i biri.
***
O shokë vdeksha nga kënga,
në një ditë Prilli a Maji,
Kur shfaqet mbi maja Hëna
në këngë të kthehet vaji.
Vdeksha edhe prapë u ngrefsha
Shokët në këngë i gjetsha!- Lefter Çipa
Për vdekjen e tij shprehën ngushëllimet edhe njerëz të politikës. “I linduri në ditën e dashurisë, poeti që i këndoi shpirtit, nën zhurmën e valëve të Jugut iu bashkua sot yjësisë. Lamtumirë Lefter Çipa! Këngët e tua u këndofshin sa të ketë jetë!”, shkruante ministrja e Kulturës, Elva Margariti.
Kryeministri Rama shkruante se Çipa la pas jehonën e krijimtarisë së tij. “Lefter Çipa ishte zëri gurgullues i bregut shqiptar, që i dha jetë një thesari perlash polifonike dhe sot iku nga kjo botë, duke lënë pas jehonën e pashuajtshme të perlave të tij”.
Kreu i shtetit, Ilir Meta do të shprehte dhimbje dhe trishtim nga lajmi i ndarjes nga jeta të Cipës. “Krijuesi brilant i Bregut, me frymëzim thellësisht kombëtar, iku në përjetësi, për të na lënë të gjithëve një trashëgimi të vyer artistike e kulturore, ku spikatin perlat e polifonisë shqiptare të krijuara mjeshtërisht prej tij dhe që do këndohen në jetë të jetëve, sa të ketë shqiptarë”, shkruante presidenti, i cili e nderoi poetin me titullin “Nderi i Kombit”, pak kohë më parë.
Left Çipa u lind në Pilur, ndërsa gjatë adoleshencës në Vlorë, profesori i muzikës Theistokli Mone, i shqoi talentin vjershërues. Ushtrinë e shkoi në Korçë dhe Maliqin e ftohtë të fillim viteve ’60-të. U rikthye sërish në Vlorë dhe në 1966, rikthehet në Pilur, në fshatin mbi re, ku do të ngrinte “folenë” më magjike të këngëve të tij me jehonë nëpër Atdhe.
Por edhe pasi e ngre këtë “fole të këngës” me Grupin e Pilurit në vendlindjen e të parëve, sërish ai nuk rresht udhëtimet. Është në udhë pareshtur; mes Himarës, Vlorës, Tiranës, Krujës, Shkodrës, Korçës dhe Gjirokastrës. Në më shumë se 60 vite hapi i tij nuk ndali dhe këmbët e veta nuk ndien lodhje apo ndalim. Krijimtaria e tij përfshin artin e fjalës, të këngës, të interpretimit dhe formave të tjera të materializuara që gjallojnë dhe ndeshen në fonoteka dhe veçanërisht librat e tij autorialë.
Lefter Çipa konsiderohet si autori i papërsëritshëm i këngëve të vlerës së lartë artistike dhe muzikore si "Bejkë e bardhë", "Vijnë djemtë nëpër vapë", "Nga kjo baltë e kësaj toke", "Naim Shqipëria", "Shqipëri pse të qan syri", "Zoga kaçake në male", "Këngë kurbeti", "Vito Pëllumbesha", "Hënëz e qiellit të gjerë", "Moj unaza gur jeshile", "N sokak të ngushtë", "O shokë vdekça nga kënga", "Lundroj në lundrën e këngës", "Kënga e manushaqes", " Zonjë e bukurisë", etj.
Mes 18 librave të tij, njërin e titulloi “Vij nga Drita” dhe të fundmit po ashtu ua kushtoi “Njerëzve me dritë”, shumë prej tyre të larguar në botën tjetër.
***
Ndaj mos pyesni për mua,
Se kështu kanë ardhur kohët,
Do largohem, dua s’dua,
Dhe lundër, do të bëj lotët.
Andej do të jem për vite,
S’dihet sa vjet do largohem?!
Veç mos më thoni që vdiqe,
Se një ditë, prapë do kujtohem./ Gazeta Si.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.