Drejtësia

Lefter Alla do qëndrojë në burg, Gjykata e Lartë rrëzon kërkesën e ish-kryebashkiakut të Bulqizës

Gazeta Si – Gjykata e Lartë ka vendosur mospranim të rekursit për ndryshim të masës së sigurisë për ish-kryebashkiakun e Bulqizës, pasi ai iu drejtua Gjykatës së Lartë me kërkesën që të hetohet në masën “arrest shtëpie”.

Pak ditë më parë, Prokuroria e Posaçme ka dorëzuar zyrtarisht në gjykatë dosjen në ngarkim të ish-kryebashkiakut të Bulqizës, Lefter Alla dhe 12 personave të tjerë.

Më herët Lefter Alla ka kërkuar të lirohej nga burgu, duke ngritur si pretendim se kishte shqetësime shëndetësore, pasi vuante nga zemra.

Alla është marrë i pandehur për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.

Ish-zyrtarët e bashkisë së Bulqizës dhe biznesmenë të ndryshëm dyshohet se kanë abuzuar me një tënder më vlerë rreth 3 milionë euro.

Në bazë të hetimeve të SPAK, rezulton e provuar se është shkelur ligji i prokurimeve publike për tenderin me objekt “Ndërtimi rrjetit furnizimit dhe rrjetit shpërndarës ujësjellësi dhe ndërtimi i rrjetit të KUZ”, Lagja e vjetër, qyteti Bulqizë, Bashkia Bulqizë”.

Sipas hetimeve, Alla në bashkëpunim me nëpunësit kanë favorizuar një bashkim kompanish që të fitonte tenderin.

Kompania fituese në fakt, rezulton se nuk ka kryer punime për kontratën e lidhur me bashkinë, por ato i ka realizuar një firmë tjetër me pronar Aqif Koneshën, që SPAK e cilëson lidhje shoqërore të kryetarit të Bashkisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë