Lojëra me Dore

Lebron Xhejms hyn në histori, por është fajtor për dështimin e Lejkërs

Mbrëmja e së hënës nuk ishte e zakonshme në kampionatin amerikan të basketbollit, NBA. Me të dielën dhe të shtunën që nuk kishin shumë ndeshje, të hënën u luajtën plot 11 takime në të dyja konferencat. Përveç këtyre ndeshjeve që nuk sollën ndryshime të rëndësishme në klasifikimin e të dyja konferencave, ajo që bëri të veçantë këtë mbrëmje ishte arritja e Lebron Xhejms.

Ylli i basketbollit amerikan ka arritur një rekord personal shumë të rëndësishëm. Los Anxhelos Lejkërs humbën përballë Menfis Grizlers në shifrat 110-105, por Xhejms gjithsesi e arriti një sukses individual. “The king” me 32 pikët e tij mbrëmjen e shkuar u bë i pari basketbollist në NBA që arrin të renditet në “Top 10” e të gjitha kohërave si për pikët e shënuara edhe për asistet e dhuruara. Kjo është një arritje domethënëse për karrierën e Xhejms që gjithsesi nuk po mund dot ta ndihmojë ekipin nga Kalifornia që të ngjitet në 10 vendet e para, duke e rrezikuar shumë pjesëmarrjen në play-of.

“Lejkërs në prag të dështimit për faj të Xhejms”

Nuk ka asnjë diskutim që Lebron Xhejms është basketbollisti më i mirë i brezit të tij dhe një nga më të mirët e të gjithë historisë së NBA. Por një ekip me traditë si Los Anxhelos Lejkërs është në vështirësi për të marrë pjesë në play of-in e këtij sezoni në NBA dhe sipas medieve amerikane fajtori për këtë situatë është “the king”. Sipas asaj që shkruajnë disa gazeta sportive amerikane Xhejms ka dështuar të jetë një lider te Lejkërs, ashtu siç bëri te Kavaliers apo Majemi Hit. Në disa ndeshje vendimtare ai është shërbyer nga shokët e tij, por ka dështuar që ta kryej me sukses misionin e tij për ta c çuar topin në kosh. Raportohet se mund të ketë edhe një krisje në marrëdhëniet mes pronarëve të Lejkërs dhe Xhejms. Shkëndija e parë ishte gjatë muajit janar, kur basketbollisti amerikan deklaroi se nuk do të ishte keq që në ekip të kishte edhe disa emra të mëdhenj, kështu sipas tij fitimi i titullit do të ishte një detyrë më e arritshme. Këto fjalë nuk kanë tingëlluar mirë në drejtuesit e ekipit kalifornian dhe mesazhi i ka shkuar edhe Xhejms.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë