Lojëra me Dore

LeBron James zihet me tifozët, pastaj udhëheq Lejkërsat drejt fitores

Lejkërsat kanë luajtur sërish kartën e tyre fituese në këtë fillim sezoni, atë të mbrojtjes, për të dalë nga telashet në ndeshjen kundër Atlantës, ku fituan 107-99. Me këtë fitore kampionët mbyllën xhiron e vështirë të 7 transfertave, që kanë ngritur ndonjë dyshim për forcën e tyre, por mbrojtja është ajo që i dallon nga pjesa tjetër e NBA-së.

Mbrojtja bëri diferencën në minutën e fundit, duke mbajtur larg kundërshtarin, mbi të gjithë Trae Young në një formë të shkëlqyer me 25 pikë dhe 16 asiste. Në sulm, LeBron James, shënues i 21 pikëve (12 nga të cilat në periodën e fundit) dhe Anthony Davis (25 pikë) kompletuan fitoren, duke nxehur edhe tifozët e Atlantës.

Po, sepse “State Farm Arena” është një nga ato nëntë salla, ku luhet me tifozë. Dhe katër prej tyre, të ulur afër parketit, në anën e kundërt të pankinave, kanë pasur një debat verbal me LeBron James, i cili është zbavitur me këtë incident. "Jam i lumtur që rishoh tifozët, mendoj se është mirë për të gjithë, - tha ai pas ndeshjes. – Shkëmbyem disa fjalë me dy persona të rritur, unë thashë timen dhe ata të tyren.

Pastaj ndërhyri dikush tjetër dhe situata degjeneroi. Ne në parket nuk kemi pije alkoolike, ata në shkallë ndoshta po dhe kjo i bën të ndihen më të fortë. Nuk e meritonin të nxirreshin jashtë, por arbitrat ishin pikërisht aty, besoj se e dëgjuan çfarë thamë dhe bënë atë që duhej. Shëndeti është i pari”, - tha James, i cili nuk luajti ndeshjen e tij më të mirë. Ai ishte dominues vetëm në periodën e fundit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë