Një ndër talentet më të mëdha në garat e skive ka nisur udhëtimin e saj në pistat e bardha. Shqiptarja e natyralizuar Lara Colturi debutoi në Kupën e Botës në moshën 15 vjeçare dhe aktualisht konkuron përkrah më të mirave në Botë. E lindur në Torino dhe e rritur në Cesana Torinese pranë Alpeve italiane, Lara Colturi u njoh me skitë në moshë të re. Vajza e ish kampiones olimpike, Daniela Ceccarelli (që fitoi medaljen e artë në Slalomin Super Gjigand në vitin 2002) dhe trainerit Alessandro Colturi, ajo zbuloi dashurinë për skitë që fëmijë dhe filloi konkurimin anë e mbanë Botës.
Ashtu si heronjtë e saj ajo konkuroi për të parën herë në Kupën e Amerikës së Jugut duke shfaqur talentin e padiskutueshëm dhe fituar 6 gara mes Kilit dhe Argjentinës ku fitoi edhe titullin e parë. Rezultate që i dhanë pikët kualifikuese për “FIS World Cup” aty ku mund të konkuronte me më të mirat ndër rivalet e saj. Dy vjet më parë në St Anton të Austrisë, Colturi fitoi titullin në botërorin e të rinjve. Tani, në moshën 18 vjeçare ajo është në udhëkryqin mes trashëgimisë dhe sukseseve personale.
Tranzicioni i Colturi-t në profesionizëm nuk ishte aspak i lehtë pasi në vitin e debutimit 2022, një dëmtim në gju rrezikoi ti ndërpriste karrierën në Courchevel-Meribel. Një dëmtim që mund të kishte ndikuar negativisht, por Colturi e pa si një sfidë që duhej fituar. Ndërsa rehabilitimi i saj mund të shihet si testament i forcës psikologjike që e karakterizon atë. Ajo çka doli nga ajo periudhë ishte më shumë se një sportiste e rekuperuar dhe Colturi u bë simbol për sportistet e reja, dikush që të bën të kuptosh se suksesi është diçka që duhet ta farkëtosh.
Një moment deçiziv në karrierën e saj ishte zgjedhja e Shqipërisë në kompeticionet ndërkombëtare, duke u shkëputur nga origjina italiane. Nuk ishte vetëm një vendim sportiv por edhe një ilustrim pavarësie. Duke zgjedhur flamurin kuqezi Lara nuk ndryshoi vetëm përfaqësimin por tregoi se dëshiron të shkruajë vetë historinë e saj. Fillimi i sezonit 2024 në skitë alpine shënoi një arritje të rëndësishme në karrierën e Colturi-t.
Nëntorin që lamë pas ajo bëri një paraqitje të paharrueshme duke u renditur vetëm e dyta pas Legjendës amerikane të skive, Mikaela Shiffrin në “FIS Alpine Skiing World Cup” në Gurgl të Austrisë. Pas këtij rezultati ajo u rendit në 10-en e parë në Killington, Vermont. Ndërsa të shtunën e kaluar ajo u rendit sërish e dyta në Slalomin Gjigand në Kranjska Gora, vetëm 1.42 sekonda pas suedezes Sara Hector. Ndërsa në Slalomin e të dielës, Colturi u rendit në vendin e 13-të, 2.88 sekonda pas fitueses Zrinka Ljutic. Pas provës sllovene, Lara Colturi është në vendin e 7 në klasifikimin e përgjithshëm me 298 pikë. 11 pikë pas Lara Gut-Behramit, bashkëshortes së Valon Behramit (futbollistit dardan që përfaqësoi Zvicrën).
Duke qënë se “Milano Cortina 2026” është afër, Colturi ka si objektiv të jetë sportistja e dytë që përfaqëson Shqipërinë në Lojërat Olimpike Dimërore (pas Denni Xhepa-s), duke rritur pritshmëritë për krahasimin mes karrierës së nënës dhe rrugëtimit personal. Motoja e Larës është – “Dua të jap më të mirën në garë, të përqëndrohem në pistë dhe të kënaqem duke skijuar”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.