Nga Gazeta ‘Si’- SPAK ka sqaruar “lapsusin” në kërkesën për masën ndaj Erion Veliajt, ku kryebashkiaku i Tiranës rezultonte si “i dënuar”.
SPAK thotë në një komunikim për mediat, se gjendja “i dënuar” ka mbërritur nga një certifikatë e printuar pas kërkesës së bërë ndaj Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
“Si pjesë e akteve të depozituara pranë Gjykatës së Posaçme është edhe një certifikatë elektronike e gjendjes gjyqësore me nr. prot. 5488 datë 23.01.2025, e gjeneruar nga sistemi i Drejtorisë së Përgjithshëm të Burgjeve, ku organi procedues ka akses. Kjo certifikatë, në brendësi të saj përmban informacionin se shtetasi E.V, i biri i L. dhe Sh. lindur më 17.12.1979 në Tiranë, rezulton ‘I dënuar'”, thuhet në njoftimin e SPAK.
Më tej, SPAK thotë se pavarësisht kësaj, në asnjë rast, “nuk është përdorur si rrethanë gjendja gjyqësore” e Erion Veliajt dhe bën me dije se i ka kërkuar informacion Drejtorisë së Burgjeve.
“Në lidhje me këtë certifikatë, Prokuroria e Posaçme i ka kërkuar informacion Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve në lidhje me veprat penale si edhe vendimet gjyqësore, të cilat lidhen me certifikatën elektronike që është gjeneruar” thuhet në njoftimin e SPAK.
Veliaj, në një reagim nga qelia, u shpreh se nuk bëhej fjalë për një “lapsus” të thjeshtë, por sipas tij, ishte për shkak të dashakqeqësisë së prokurorit të çështjes.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.