Dita e pestë pas tërmetit shkatërrues e gjeti Shqipërinë ende të traumatizuar. E shtuna nisi me lajmin e mbylljes së operacioneve të kërkim-shpëtimit si në Durrës, ashtu edhe në Thumanë, dy zonat më të goditura nga lëkundjet e tokës dhe pak orë më vonë më vonë me bilancin e tragjedisë që u ngjit në 51 të vdekur, mbi 900 të plagosur dhe mbi 5 mijë të tjerë jashtë shtëpive të tyre.
Numri i personave që kanë humbur jetën mund të rritet nëse (larg qoftë) dyshimet e pronarit të hotelit “Mira Mare” janë të vërteta. Ai dyshon se nën rrënojat e hotelit të tij ka ende trupa dhe me kërkesë të tij ditën e diel do të rinisë operacioni i kërkim-shpëtimit.
Kryeministri Edi Rama mblodhi Qeverinë si zakonisht pak pas orës 07:00. Në fjalën e mbajtur në këtë mbledhje ai foli gjatë për punën e kryer nga strukturat shtetërore për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve, por lajmin e prodhoi theksi mbi dy kategoritë që nuk përfitojnë rindërtimin e shtëpive.
Kategoria e parë janë familjet që deri para tërmetit kanë qenë të pastrehë dhe jetonin me qira. Kategoria tjetër është ajo e familjeve që shtëpitë e tyre grupet e verifikimit do t’i përcaktojnë si ndërtesa me standard të ulët kushtesh para tërmetit. Rama tha se kjo kategori është identifikuar paraprakisht.
Rreth mesditës në Durrës u zhvillua ceremonia e përcjelljes për në banesën e fundit të viktimave të familjes Lala, një tragjedi më vete brenda panoramës së tragjedisë së madhe shqiptare këto ditë. I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti Ilir Meta.
Pak orë më vonë, Kryeministri Edi Rama, duke mirëpritur qëndrimin e mbajtur deri më tani nga kreu i opozitës, Lulzim Basha e ftoi këtë të fundit në një tryezë për t’u bashkuar konkretisht në këtë periudhë të vështirë për qytetarët. Ftesa adresohej me synimin për të dhënë mesazhin e qetësisë, durimit dhe sigurisë se askush nuk do të jetë vetëm në këtë luftë për mbijetesë.
Përgjigjen e Bashës e mori përmes një interviste që ky i fundit dha për Top Channel. Basha e cilësoi si manovër e propagandë politike e pavend dhe kërkoi që energjitë të përqëndrohen për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve që kanë mbetur jashtë. Pak orë më vonë, nga Shkozeti kreu i PD-së foli për qindra banorë tek të cilët jo vetëm që nuk ka mbërritur ndihma shtetërore, por as prania me ekspertë për të vlerësuar dëmet dhe sigurinë e banesave të tyre.
Rama shprehu habinë përmes rrjeteve sociale që ftesa e tij u cilësua manovër e propagandë politike dhe thotë se sot më shumë se kurrë opozita mund të jetë e vlefshme, jo për të, por për njerëzit. Para kësaj përgjigjeje u takua me ambasadorët e huaj në Tiranë. Në këtë takim Kryeministri tha se ekspertë të huaj do të thërriten për të nxjerrë fajtorët, pas një hetimi administrativ, që mund të transformohet edhe penal dhe më pas, nëse ka prova do t’i dorëzohen SPAK-ut. Gjatë ditës, Rama vizitoi fshatin Bubq, një prej zonave pa humbje njerëzore, por me humbje të mëdha financiare. Nga ana tjetër, Lëvizja Socialiste për Integrim kërkoi që gjendja e emergjencës të shpallej edhe në Lezhë.
Rinisja e mësimit në shkollat e Tiranës, Durrësit dhe Lezhës mbetet e pezulluar pa afat. Ministrja Besa Shahini tha për Report TV se deri më tani janë mbikëqyrur për kushtet teknike të sigurisë 200 shkolla dhe se ditën e dielë do të merret një vendim.
Në mediat sociale dhe në portale bujë bënë dy deklarata të kryebashkiakes së Durrësit, Valbona Sako. Fillimisht ajo tha se të pastrehët e tërmetit po qëndronin në hotele me 5 yje, që në kushte normale nuk do të kishin mundësi t’i paguanin dhe më vonë u shpreh “e kënaqur me numrin 51 të viktimave”, duke deklaruar se tërmeti në fjalë mund të kishte marrë edhe më shumë jetë.
Deklaratat shkaktuan një kundërreagim zinxhir ndaj kryebashkiakes të dalë në zgjedhjet e kontestuara të 30 qershori. Vetë ajo u reagoi përmes rrjeteve sociale duke u shprehur se fjalët e thëna prej saj ishin keqkuptuar shkëputur dhe shtrembëruar nga konteksti.
Sa u takon portaleve, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike e Postare (AKEP) bllokoi aksesin për “Jeta osh Qef” në Shqipëri, pas hetimeve të nisura ndaj drejtuesve të këtij portali për përhapje lajmesh të rreme. Mbi këtë akt reagoi tërthorazi Presidenti Ilir Meta.
“Duke i inkurajuar mediat të vazhdojnë të tregojnë seriozitet dhe përmbajtje maksimale në raportimin e lajmeve, me qëllim shmangien e informacioneve të paverifikuara, besoj se në kuadrin e kësaj gjendjeje të jashtëzakonshme, çdo pakujdesi si pasojë e nxitimit për dhënien e lajmit të fundit, të mos përdoret si pretekst për të sulmuar apo mbyllur media kritike”, tha ai.
Në terren vijoi, edhe pse me denoncime për problematika, shpërndarja e ndihmave. Zyrtarë të Ministrisë së Brendshme, ata të emergjencave civile dhe struktura të tjera shtetërore përsëritën thirrjet që për të përfituar ndihma si të dëmtuar nga tërmeti duhej që më parë qytetarët t’i drejtohen njësive administrative, ku pajisen me një vërtetim të vulosur se janë të prekur nga fatkeqësia.
Por, sërish në pallatin e sportit në Durrës u denoncuan radhë të gjata të personave që kërkonin të tërhiqnin ndihma dhe në rrjetet sociale kishte nga ata që e denoncuan këtë fakt, si rasti i një banori nga Shkozeti që tha se ishte pajisur me vërtetimin, por nuk kishte tërhequr ndihma për shkak se në momentin që kishte shkuar tek pallati i sportit kishte shumë radhë.
Nga sporti, mbështetja për Shqipërinë mbërriti këtë herë nga tifozeria e AEK-ut në Greqi. Tifozët e verdhezinjëve grekë shpalosën një banderolë të shkruar në shqip “Lutemi për ty Shqipëri”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.