Ngjarje

Lamtumira e John McCain, një këshillë për Trump

Senatori John McCain ishte një prej kundërshtarëve më të ashpër të Presidentit Donald Trump në Kongresin amerikan dhe i tillë qëndroi deri në fund të ushtrimit të detyrës së tij, si përfaqësues i Arizonës.

Edhe në mesazhin e fundit, atë lamtumirës të publikuar nga familjarët e tij, Senatori i ndjerë tërthorazi i jep një këshillë Presidentit Donald Trump, megjithëse nuk e përmend në emër.

“Ne e dobësojmë madhështinë tonë kur ngatërrojmë patriotizmin tonë me rivalitetet klanore që kanë mbjellë armiqësi, urrejtje dhe dhunë në të gjitha anët e globit. Ne e dobësojmë atë kur fshihemi prapa mureve, në vend që t’i rrëzojmë ato, kur dyshojmë në fuqinë e idealeve tona, në vend që t’u besojmë atyre si forcë e madhe për ndryshim, ashtu siç kanë qenë gjithmonë,” thuhet në letër.

Por, nuk harron që të përçojë edhe mesazhe bashkimi.

“Ne jemi treqind e njëzet e pesë milionë individë, secili me mendimin e vet dhe që debatojmë zhurmshëm. Ne zihemi dhe konkurojmë madje nganjëherë fyejmë njëri-tjetrin në debatet tona të ashpra publike. Por gjithnjë kemi pasur shumë më tepër gjëra të përbashkëta me njëri-tjetrin sesa mosmarrëveshje. Nëse e ngulisim këtë në mendje dhe i japim njëri-tjetrit të kuptojë se ne të gjithë e duam vendin tonë, atëherë do të arrijmë t’i kapërcejmë këto momente sfidash dhe do të dalim prej tyre më të fortë se më parë, ashtu si gjithmonë”, vijon më tej.

“Lamtumirë, vëllezër amerikanë. Zoti ju bekoftë dhe Zoti e bekoftë Amerikën”, përfundon letra e Senatorit McCain.

Ceremonitë e lamtumirës

Senatori John McCain ndërroi jetë të shtunën në moshën 81-vjeçare pas një betej të gjatë më kancerin në tru.

Trupi i tij do të vendoset së pari në kapitolin e shtetit të Arizonës, ku të mërkurën do të mbahet një ceremoni private, me rastin e 82-vjetorit të ditëlindjes. Të enjten, në një kishë baptiste të qytetit Feniks do të mbahet një shërbim përkujtimor privat me pjesmarrjen e publikut.

Në Uashington, ku flamujt në institucionet e ndryshme janë ulur në gjysmë shtizë, trupi i senatorit McCain do të vendoset të premten në ndërtesën e Kapitolit, ku njerëzit do të bëjnë homazhe. McCain do të jetë senatori i 13-të amerikan, trupi i të cilit nderohet në sallën rrethore të Kapitolit, një nder që u rezervohet “qytetarëve më të shquar” të vendit.

Të shtunën në Katedralen Kombëtare të Uashingtonit do të mbahet një shërbim përkujtimor, ku do të flasin ish-presidentët Barak Obama dhe Xhorxh W. Bush. Senatori McCain do të prehet në Varrezat e Akademisë Detare në Anapolis të shtetit Marilend, pranë mikut më të ngushtë që ai kishte gjatë viteve të Akademisë detare, Admiralit Chuck Larson.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë