Futboll

Lamine Yamal rrezikon Botërorin

Nga Gazeta ‘Si’– Barcelona dhe futbolli spanjoll janë vënë në alarm pas dëmtimit të talentit të ri katalanas, Lamine Yamal, i cili mund të humbasë pjesëmarrjen në Kupën e Botës 2026.

18-vjeçari u detyrua të largohej duke çaluar në fitoren 1-0 të katalanasve ndaj Celta Vigo, pasi shfaqi shenja të një dëmtimi serioz.

Momenti tronditi tifozët, pasi numri 10 i katalanasve, menjëherë pasi shënoi nga pika e penalltisë, kërkoi zëvendësim pa festuar, me dhimbje të dukshme në fytyrë. Sipas ekzaminimeve fillestare, dyshohet për një këputje të muskulit biceps femoris në kofshën e majtë.

Nëse kjo konfirmohet nga analizat mjekësore, sezoni i tij mund të konsiderohet i mbyllur, duke vënë në pikëpyetje serioze edhe pjesëmarrjen me Spanjën.

Incidenti ndodhi pikërisht në momentin e goditjes së penalltisë, kur Yamal ndjeu një dhimbje të fortë në pjesën e pasme të kofshës, edhe pse arriti të mposhtë portierin kundërshtar. Në prag të fazës vendimtare të sezonit në La Liga dhe me “El Clasico” e 10 majit kundër Real Madrid që po afron, Barcelona përballet me një emergjencë teknike dhe psikologjike.

Situata ka shqetësuar stafin teknik dhe tifozët, të cilët presin me ankth rezultatet përfundimtare të testeve mjekësore.

Trajneri Hansi Flick shpreson që dëmtimi të mos jetë aq i rëndë sa të përjashtojë Yamalin nga përballja e shumëpritur kundër rivalëve të përjetshëm, një ndeshje që mund të jetë vendimtare në garën për titull.

Ndërkohë, edhe përtej futbollit të klubeve, vëmendja është zhvendosur te kombëtarja spanjolle, e cila po monitoron nga afër gjendjen e lojtarit përpara Kupës së Botës. Yamal ka qenë një nga zbulimet më të mëdha të sezoneve të fundit në Europë, duke regjistruar 16 gola dhe 11 asistime në kampionat.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë