Mendim

Lali Eri ia fute kot, ndrysho veshjen

Erion Veliaj, i cili prej dy mandatesh është ende krytari i Bashkisë së Tiranës, sikur ka filluar të bjerrë edhe nga idetë që lidhen me përformancën e tij publike!

Disa herë, mesazhet apo retorika e tij politike kanë rezultuar kontradiktore, pasi e ka pasur të vështirë të qëndrojë mes dy pozicionesh, edhe si politikan i lartë edhe si administrator lokal.

Nejse, kjo është një çështje tjetër.

Por mesa duket, format e marketingut pa zë, por përmes mjeteve konvecionale, të përdorura me zgjuarsi prej tij dikur, kanë filluar të shfaqin të njëjtën gjë: varfëri dhe keqorientim.

Djali që dikur i çuditi shqiptarët me mjete “Mjaft” shprehëse të protestës dhe mesazhe; kur hidhte bashkë me shokët e tij letra higjenike në maj të pemëve të Tiranës, kur ndërtonte lapidarë të vegjël si memorie për të aksidentuarit në rrugë, kur improvizonin me personazhin e Demkës te “Shkëlqimi dhe Rënia e shokut Zylo”, skena që godisnin për bjerrjen e administratës; tani ka filluar të jetë më i pakuptueshëm duke krijuar dhe dufe njerëzore.

Dje ai ishte në kremtimin e 60-vjetorit të shkollës së famshme “Sami Frashëri” në kryeqytet. Ky gjimnaz që ka simbolikën shumë domethënëse jo vetëm të emrit të një rilindasi, jo vetëm për të shkuarën, jo vetëm për vitet dhe brezat, por dhe të tashmen e rindërtuar pas dëmtimit nga tërmetit, është një skenë serioze për të dhënë mesazhe serioze.

Vetë Lali, siç edhe ka qejf t’i thonë qytetarët sepse thotë se është një prej tyre, shkruajti në Facebook se kjo shkollë është “një gjimnaz historik për Tiranën dhe të rinjtë e të rejat që janë ulur në bankat e tij.”

Ai shkruajti: “Jam shumë i lumtur që ia dolëm ta festojmë këtë ditë në një godinë të re, me një arkitekturë e cilësi të jashtëzakonshme, simbol i punëve të shkëlqyera që kemi bërë deri tani, e sa do të bëjmë në vijim.”

Por Erioni edhe pse tek ballina e podit kishte të afishuar “Unë jam samist”, (vetë ka qenë nxënës i kësaj shkolle), kishte veshur një bluzë që reklamonte një kolegj të huaj. Asnjë lidhje, as një shenjë tjetër në trupin e tij për atë çka ishte aty.

Ndoshta në mendje, kryetari kishte paracaktuar mesazhin që nga bankat e shkollave të Tiranës të rinjtë mund të arrijnë deri te kolegjet e njohura botërore si shprehje e cilësisë së arsimit në këtë vend?!

Ndoshta thjesht si kryeadminstrator i Tiranës vetëm aq i takon dhe e ngarkojmë më kot me barrë tjetër.

Por nëse Erioni dëshiron të sillet edhe si një politikan i përgjegjshëm jo vetëm për Tiranën, atëherë sot bluza e tij është një mesazh i keq. Në kontekstin kur arsimi në rang vendi është ende i dobët, i rankuar ndërkombëtarisht mjaft poshtë, kur shumë shkolla në Shqipëri janë mbyllur për shkak të mungesës së nxënësve, ku të rinjtë ikin për të mos u kthyer më; bluza e Lalit si mesazh politik nuk është e mirëmenduar, megjithëse ai kishte shumë mundësi që edhe në ato pak centimetra copë të vendoste çdo logo shqiptare që lidhet me arsimin.

Megjithatë duke mos e dramatizuar kaq shumë një performancë të tillë, sot mund t’i japim vetëm një këshillë të vogël: Lali duhet të ndryshosh veshjen (kupto staturën politike) nëse do të vazhdosh të duash të jesh njëri nga ne.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë