Treg

Lajthit Bashkimi Europian, kërcënon me padi vetveten

Bashkimi Europian është gati që të padisë të gjitha vendet anëtare të tij për dështim në krijimin dhe ofrimin e shërbimeve të tregut të përbashkët sipas një marrëveshjeje të hyrë në fuqi prej vitesh.

Padia është sinjalizuar nga Komisioni Europian dhe ajo shënjestron të 28 vendet anëtare të unionit, përfshirë këtu edhe Britaninë e Madhe, që është në proces shkëputjeje. Ky institucion është i zhgënjyer nga veprimet e vendeve anëtare për të përshtatur legjislacionet respektive sipas një marrëveshjeje për tregun e përbashkët të nënshkruar një dekadë më parë.

Bëhet fjalë për një ligj të miratuar që në vitin 2006, që si qëllim thelbësor kishte të lehtësonte burokracitë dhe njësonte procedurat e punësimit dhe të të bërit biznes në të gjitha vendet anëtare. Ky qëllim u arrit, por pjesët e këtij rregulli për ofrim të shërbimeve të njësuara në të gjithë tregun e përbashkët dështuan falë rezistencës së vendeve anëtare, që e zvarritën në përpjekje për të ruajtur traditat kombëtare.

Ligji u ndalon qeverive përkatëse që të hartojnë dhe miratojnë rregullore që diskriminojnë, ose përjashtojnë kompanitë e huaja nga tregjet e tyre, edhe kur këto rregullore synojnë mbrojtjen e konsumatorëve kur realizojnë blerje në vende të tjera të BE-së.

Rregullorja u krijon mundësinë kompanive që të ndërtojnë një pikë të vetme kontakti në njërin nga vendet anëtare, nga ku ato mund të luftojnë burokracitë e qeverive të 28 vendeve mbi vendimet për tregun e përbashkët.

Por, asnjë prej 28 vendeve nuk ka përshtatur plotësisht kuadrin ligjor vendas me këtë rregullore të Bashkimit Europian. Në pjesën më të madhe të tyre ka patur zvarritje dhe mungesë vullneti politik, ndërsa në një pjesë tjetër rregullorja është kundërshtuar. BE tani i kërcënon të 28 qeveritë anëtare me një padi ligjore dhe paralajmëron se nëse nuk unifikohet plotësisht ekonomia, BE nuk mund të konkurrojë me ekonominë e SHBA dhe të Kinës.

“Është koha që të kalojmë nga fjalët tek veprat. Konkurrentët tanë ekonomikë veprojnë minimalisht në një hapësirë sa i gjithë kontinenti ynë. Ne duhet të krijojmë një treg të përbashkët për të mirat dhe shërbimet brenda Bashkimit Europian dhe kjo jo vetëm në letër”, deklaroi Elzieta Bienkowska, shefe e industrisë në byronë e tregut të përbashkët në Komisionin Europian.

Urdhri për të përshtatur legjislacionet në përputhje me këtë rregullore u është dërguar nga ana e Komisionit Europian të 28 vendeve anëtare. Vendet kanë 2 muaj kohë që t’i përgjigjen këtij urdhri përmes ndryshimeve të legjislacioneve përkatëse, ose refuzimit të tij. Në rast refuzimi, Komisioni ka paralajmëruar ngritjen e një padie në Gjykatën Europiane të Drejtësisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë