Politike

Lajmi se Berisha mund të shkojë në SHBA/ Rama: Këneta sheh ëndrra madhështore

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas lajmit të publikuar në media se Sali Berisha mund të shkojë në SHBA, bazuar në postimin e një gazetari amerikan në rrjetin social X.

Përmes një postimi në Facebook, Rama shprehet se sipas tij kjo është një tjetër tallje e Berishës dhe një trushpëlarje.

Duke ironizuar, Rama thekson se “këneta sheh ëndrra madhështore me rrugë qumështi dhe mëndafshi”.

“Thashë se ia hoqën vërtetë damkën të shpëtonte Shqipëria nga një turp i pashembullt, po aha, hiç, qenkej një tjetër nga ato talljet e Bufit me lukuninë e Kënetës, ku mbetet gjithnjë i palëkundur besimi se po e tha Bufi fluturon edhe gomari. 

Trushpëlarje aq shembullore u ka bërë në tërë këto vite të shkretëve, saqë edhe kur Bufi i rrjedhur përçartet rrugëve, Këneta sheh ëndrra madhështore me rrugë qumështi dhe mëndafshi, ku oqeani bëhet kos dhe kapelja trampiste e Bufit shumëfishohet në miliona tenxhere floriri me mbishkrimin USA”, shkruan Rama.

Një ditë më parë gazetari amerikan Marc Caputo që punon për agjencinë “Axios” i ka bërë një pyetje Departamentit Amerikan të Shtetit nëse kreu i opozitës në Shqipëri, Sali Berisha mund të vizitojë Shtetet e Bashkuara.

Në një koment në rrjetin “X” ai tha: “E pyeta Departamentin e Shtetit për statusin e vizës së Berishës dhe më thanë se ai mund të vijë në SHBA” – shkruan gazetari që publikon edhe përgjigjen e DASH.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë